Selam alejkum të nderuar! Unë jam ndarë nga i fejuari im. Ai ka qenë i pari që ka marrë hapin për ndarje, madje disa herë. Sa ditë apo javë pas ndarjes kam të drejtë të njoh dikë tjetër?
Përgjigjja
Alejkum selam ue rahmetullah!
Së pari: Allahu e furnizoftë secilin prej jush me bashkëshort të hajrit!
Besoj se kjo fejesë ka qenë sipas rregullave të Islamit; pra, keni bërë nikahun me pëlqimin e babait dhe në prezencë të dëshmitarëve është përcaktuar edhe mehri.
Sa i përket pyetjes: Nëse pas nikahut keni qëndruar me njëri-tjetrin në vetmi dhe keni fjetur bashkë siç flenë bashkëshortët, atëherë ti duhet të presësh të të vijnë menstruacionet tri herë. Pasi të pastrohesh herën e tretë, ke të drejtën të krijosh një lidhje të re.
”Gratë e ndara duhet të presin tri cikle mujore dhe nuk është e lejueshme ta fshehin atë që ka krijuar Allahu në mitrën e tyre, nëse besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit. Burrat e tyre, nëse dëshirojnë mirësi dhe qetësi, kanë të drejtë t’i kthejnë gjatë këtij afati. Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Bekare, 228)
Nëse nuk keni fjetur bashkë, atëherë nuk është e nevojshme të presësh për t’u rimartuar.
”O besimtarë! Kur martoheni me besimtaret dhe i ndani ato para se t’i prekni, ato nuk janë të detyruara t’ju presin në afatin kohor të caktuar, por jepuni një dhuratë të kënaqshme dhe i ndani njerëzishëm.” (Ahzab, 49)
/Hoxhë Kastriot Bardhi/




