Pyetja:

A lejohet transplantimi i organeve të trupit?

***

Përgjigja:

Akademia mori në shqyrtim studimin nëse lejohet transplantimi apo jo. Pas një diskutimi të gjerë ndërmjet anëtarëve të Asamblesë së Akademisë, Asambleja është e mendimit se argumentet e atyre që lejojnë transplantimin janë më të pranueshme, kështu që ajo vendosi si më poshtë:

Së pari: Marrja e një organi nga një njeri i gjallë dhe vendosja në trupin e një njeriu tjetër, i cili gjendet në një situatë domosdoshmërie dhe i shpëton atij jetën apo i kthen atij një nga funksionet bazë të saj, është një vepër e lejuar dhe nuk bie ndesh me fisnikërinë e njeriut që i është marrë kjo pjesë. Kjo vepër gjithashtu ka një dobi të madhe dhe një përfitim të pallogaritshëm për njeriun që përfiton nga ky transplantim  dhe si e tillë ajo është një vepër e lejuar dhe e lavdëruar nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:
1.    Duhet që organi që merret nga dhuruesi të mos i shkaktojë atij dëm të atillë që i prish normalitetin e jetës, sepse një nga rregullat e Sheriatit thotë “Nuk lejohet që dëmi të largohet me një dëm të ngjashëm apo më të madh se ai”. Në këtë rast një dhurim i tillë do të ishte një vetëvrasje, gjë që nuk lejohet nga feja.
2.    Duhet që dhurimi të jetë i lirë nga njeriu që e dhuron dhe jo i imponuar.
3.    Duhet në këtë rast që transplantimi i këtij organi të jetë i vetmi mjet mjekësor i mundshëm, që kuron të sëmurin në gjendjen e jashtëzakonshme ku ai ndodhet.
4.    Duhet që operacioni i marrjes dhe i transplantimit të ketë garanci të plotë apo të madhe se është i suksesshëm.

Së dyti: Rastet e mëposhtme janë të lejuara nga ana fetare:

1. Lejohet marrja e një organi nga një njeri i vdekur për të shpëtuar një njeri tjetër i cili ka nevojë të domosdoshme për të, me kusht që njeriu nga i cili merret ky organ të jetë i përgjegjshëm dhe ta ketë lejuar këtë gjë gjatë kohës që ai ishte akoma gjallë.
2. Lejohet marrja e organit nga çdo kafshë që theret dhe lejohet ngrënia e saj, ose edhe të tjera në raste domosdoshmërie, për tu transplantuar te njeriu që ndodhet në gjendje domosdoshmërie.
3. Lejohet marrja e një pjesë nga trupi i vetë personit për të riparuar një pjesë tjetër të tij, si p.sh. marrja e një pjese të lëkurës apo kockës së tij, nëse diçka e tillë është e nevojshme.
4. Lejohet të vendosen në trupin e njeriut pjesë të prodhuara artificialisht qofshin këto metale apo diçka tjetër, për ta kuruar atë nga sëmundja apo defektet, si p.sh. në nyjat e kockave, valvulin e zëmrës etj.

Në të katër këto raste Asambleja është e mendimit se lejohet fetarisht transplantimi duke iu përmbajtur kushteve të përmendura më sipër.

Gjatë diskutimit të kësaj çështje morën pjesë edhe këta mjekë:
1.    Dr. Sejid Muhamed Ali El-Bar
2.    Dr. Abdullah Baselameh
3.    Dr. Halid Emin Muhamed Hasan
4.    Dr. AbdulMabud Amareh Es-sejid
5.    Dr. Abdullah Xhumah
6.    Dr. Gazi El-haxhim

Përktheu: Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë