Pyetja:
Babi dhe nëna ime nuk dinë shkrimin dhe leximin, a lejohet t’ua lexoj atyre nga një hatme të Kuranit?
A lejohet leximi i hatmes së Kuranit për ata që dinë shkrimin dhe leximin, ngase dëshiroj t’ua bëjë hedije (dhuratë) sevapin e hatmes së Kuranit? A lejohet t’i fus më shumë se një person në hatme?
***
Përgjigjja:
Nuk ka ardhur në Kuranin famëlartë, Sunetin e pastër profetik dhe as në veprat e sahabëve të ndershëm, se lejohet dhurimi i shpërblimit të hatmes së Kuranit, prindërve dhe të tjerëve (qofshin të gjallë apo të vdekur). Ngase, leximi i Kuranit duhet të lexohet nga secili, sepse Kurani duhet të lexohet, meditohen porositë e tij dhe kështu me rradhë.
Allahu i Madhëruar, thotë:
“(Ky) është një libër (Kurani), që ta kemi zbritur ty, libër i bekuar, për t’i studiuar dokumentet e tij dhe për t’u këshilluar mendimtarët me të.” (Sad: 29)
“Me të vërtetë, ky Kuran udhëzon kah ajo që është më e drejtë dhe i sihariqon besimtarët që punojnë vepra të mira, se ata, me të vërtetë, do të kenë shpërblim të madh.” (El Isra: 9)
Thuaj: “Ai (Kurani), për besimtarët është udhërrëfyes dhe ilaç.”
Dhe, ata që nuk besojnë, kanë pengesa në veshë (janë të shurdhër) dhe ai (Kurani), për ta është verbëri (ata janë të verbër), thuajse thirrën prej vendeve të largëta.”
(Fusilet: 44)
I Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse ai do të vi ndërmjetësues për lexuesin e tij në ditën e gjykimit.” [1]
“Me të vërtetë atyre që kanë punuar me Kuranin (e kanë lexuar dhe praktikuar), vjen Kurani ditën e gjykimit dhe do të dëshmon për ithtarët e vet, do të paraprijë sureja el Bekare dhe Ali Imran si dëshmitarë (ata që e kanë lexuar dhe praktikuar).” [2]
Qëllimi kryesor dhe final është se Kurani ka zbritur për t’u lexuar, medituar dhe praktikuar, përmes leximit të tij t’i bëhet adhurim Allahut, e jo që t’i dhurohet dikujt hedije (dhuratë) leximi i tij (hatmeja e Kuranit).
Unë nuk di ndonjë bazë (argument) të shëndosh e cila lejon ose sëpaku preferon që t’i këndojmê hatme nënës dhe babasë ose dikujt tjetër(qofshin të gjallë apo të vdekur).
I Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Kush vepron një vepër e cila nuk është nga çështja jonë (nuk është e bazuar në Kuran dhe Sunet), vepra e tillë është e refuzuar (dhe nuk pranohet).” [3]
Disa nga dijetarët e kanë lejuar leximin e Kuranit (hatmen e Kuranit) për nënën dhe babanë, duke thënë se nuk ka asgjê të keqe nëse dikush vepron një gjë të tillë. Duke bërë kijas (analogji) me vepra tjera, si sadakanë, lutjet për të vdekurit , etj. Mirëpo, mendimi më i saktë është se Kurani ka zbritur për t’u lexuar, medituar vetë, e jo për t’u dhuruar leximin tënd të tjerëve, qofshin ata prindërit apo dikush tjetër (i gjallë apo i vdekur). Po të ishte një gjë e tillë e ligjitimuar apo e preferuar do e vepronin selefus salih (sahabët, tabiinet, etj). Nuk lejohet kijasi (analogjija) në adhurime, ngas adhurimet janë të caktuara nga Allahu (teukifije) dhe nuk veprohen adhurimet pos nëse vjen argument nga Kurani apo suneti profetik. Ndërsa, është e njohur se lëmosha, lutja, kryerja e haxhit (dmth sëpari për vete duhet kryer, pastaj për të tjerët), kryerja e umres, kompenzimi i agjêrimit i atij që ka vdekur, të gjitha këto vërtetohen me hadithe profetike.
Allahu e di më së miri!
Shejh Abdulaziz Ibn Baz
Përktheu: Suad Shabani
—————————–
[1] Muslimi
[2] Muslimi
[3] Buhariu