Pyetja:
A më pranohet namazi nëse nuk e di nga cila anë i bie kibla?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshim mbi vulën e profetëve, Muhamedin, familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnikë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Duhet të dimë se drejtimi nga kibla është një nga kushtet e pranimit të namazit, pra nëse ajo nuk realizohet, në gjendje normale dhe kur e di nga është, namazi nuk pranohet.
Por, nëse dikush është udhëtar në një vend, apo është mik diku dhe në objektin ku është nuk e di se nga bie kibla dhe falet me hamendje duke menduar se andej nga është drejtuar është kiblja, atëherë ky namaz është i pranuar, edhe nëse nuk ia qëllon.
Por, nëse je banor i një vendi dhe në shtëpinë ku je nuk e di nga është kibleja, atëherë duhet që të pyesësh ose të shohësh drejtimin e xhamive -sidomos mihrabin- apo nëpërmjet shenjave që janë të njohura. P.sh.: në Shqipëri kibleja është nga Juglindja.
Pra kërkohet nga muslimani që të pyesë për të gjetur kiblen, sidomos nëse në atë qytet ka xhami apo qendra islame, e nëse është në ndonjë vend ku këto mungojnë, falet andej nga mendon se është kibleja, derisa të informohesh drejtë se nga është drejtimi i saj.
Nëse ia ke qëlluar elhamdulilah, e nëse ke qenë gabim, drejtohesh nga ana e duhur, por ato namaze që ke falur janë të sakta dhe nuk i përsërit.
Allahu e din më mirë.
Bledar Haxhiu