Pyetja:

A mund  të marrim abdes në banjo ndërkohë që për të plotësuar abdesin duhet të përmendim Allahun (bismilahin)?

***

Përgjigjja:

Falënderimi dhe lavdia e plotë i takojnë Allahut të lartësuar. Paqja dhe bekimet e plota qofshin për Profetin e mëshirës, Muhamedin ﷺ, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndoqën rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Përmendja e Allahut, pra të thënurit “Bismil-lah” para fillimit të marrjes së abdesit është një nga sunetet e abdesit. Dijetarët kanë mendime të ndryshme për sa i përket detyrueshmërisë së saj para abdesit. Për shumicën e dijetarëve ajo është një punë e pëlqyeshme por jo e detyrueshme. Pra, edhe nëse nuk thuhet para fillimit të abdesit, abdesi konsiderohet i plotë.

Ata që e konsiderojnë atë të detyrueshme dhe kusht të saktësisë së abdesit argumentojnë me hadithe të ndryshme mes të cilave hadithi i transmetuar nga Ebi Hurejrate që thotë: “Nuk ka namaz për atë që nuk ka abdes dhe nuk ka abdes për atë që nuk e përmend emrin e Allahut.” [1]

Pra, më e sigurt dhe larg kundërshtimit është që ne ta përmendim Allahun para marrjes së abdesit. Por nëse e themi me mend nuk është e domosdoshme që ta themi me gojë. Pra, nëse e themi me mend është mëse e mjaftueshme dhe konsiderohet se e kemi kryer këtë kusht të saktësisë së abdesit. Ndërsa për ata që e konsiderojnë thjesht të pëlqyeshme çështja është më e thjeshtë.

Shejħ ibnu Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është pyetur për këtë çështje dhe ka thënë: “Nëse dikush merr abdes brenda banjës le ta thotë bismilahin me zemër, jo me gojë, sepse detyrueshmëria e thënies së bismil-lahit para abdesit nuk është shumë e fortë. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Rreth përmendjes së bismilahit para abdesit nuk ka asnjë hadith të saktë prej Profetit ﷺ.” Për këtë arsye shumë dijetarë janë të mendimit se bismilahi para abdesit është sunet, jo vaxhib.” [2]

Gjithsesi, nëse bismilahi thuhet me zemër brenda banjës kjo është një punë e lejueshme. Edhe nëse jemi të mendimit se përmendja e bismilahit është kusht i saktësisë së abdesit, duke e thënë me zemër është më se e mjaftueshme. Por, përmendja e saj me gojë është diçka e pa lejueshme sepse në të tilla vende nuk është e denjë të përmendet i Madhërishmi.

Allahu është më i ditur për gjithçka. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, familjen e tij, të gjithë shokët e tij dhe të gjithë ata që pasuan me sinqeritet udhëzimin e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Uthman Agolli

——————————————-

[1] Këtë hadith, Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, e ka konsideruar hasen. (Shih sahih Ibnu Maxheh, El Irua’ 81, El mishkat 404.

[2] Shih Fetaua ibnu Uthejmin vëll 11/ fq 110.