Pyetje: A mund të më tregoni si falet vitri?
Përgjigja;
Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
▣–•Namazi i vitrit është sunet i fortë, të cilin Profeti -alejhi selam- nuk e ka lënë pa falur edhe gjatë udhëtimit.
▣ Koha e tij fillon pasi të jetë falur namazi i jacisë.
▣–•Lejohet të falet një rekat, të falet tre, pesë; pra të jetë tek. Profeti -alehi selam- thotë: “Fundin e namazit tuaj të natës faleni tek.” [Mutefekun alejhi.]
▣–•Ky hadith tregon se namazi i vitrit është mbyllës i namazit të natës. Pasi ke falur namaz nate qoftë kjo tetë rekate apo dhjetë rekate e mbyll atë me vitrin (një, tre rekate ose më shumë, e rëndësishme është të jetë tek)
▣–•Nëse falet vitri tre rekate nuk duhet t’i përngjajë namazit të akshamit, por duhet të falet tre rekate pa e lexuar teshehhudin në rekatin e dytë ose le t’i falë dy rekate të japë selam e pastaj te falë edhe një rekat.
Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë:
“Namazi i natës është dy nga dy, e nëse ke frikë (hyrjen e kohës së) sabahun, atëherë fale vitrin një rekat”.[Sahihul Buhari nr. 1137; Sahihu Muslim nr. 749]
▣–• Nëse i falë pesë apo shtatë rekate, i falë të gjitha një pas një, pa bërë asnjë ulje përveçse në fund të rekatit të pestë apo të shtatë, ku thotë teshehhudin dhe jep selam. Argument për këtë është hadithi i Ajshes -Allahu qoftë i kënaqur ne të- se: “I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, falte natën trembëdhjetë rekate. Vitrin e falte pesë rekate duke mos u ulur përveçse në fund”.[Sahihu Muslim nr. 737]
▣–•Kush frikësohet se nuk ngrihet dot për namaz nate, atëherë le ta fal vitrin para se të fle.
Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut -alejhi selam- ka thënë:
“Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin para se të flejë, kurse ai që është i sigurt se do të ngrihet në fund të natës, ta falë në fund të saj, sepse leximi i Kuranit në fund të natës është i dëshmuar (prezantojnë engjëjt) dhe kjo është më e mira.” [Muslimi.]
Allahu e di më së miri!
Dr. Adelina Kuçana