Pyetje: A kish pas mundësi me na tregu për fëmijët diçka si të sillemi me ta, apo për çështjen për mi rrahë në çfarë moshe duhet, e kështu me radhë?

Përgjigja: Fëmijët janë emanet në duart e prindërve, kështu që duhet që të kujdesen që ta mbajnë mirë këtë emanet. Përgjegjësia e prindërve për edukimin e fëmijëve është e madhe, për këtë Profeti – paqja e Zotit qoftë mbi të – ka thënë: “Të gjithë ju jeni mbikëqyrës dhe përgjegjës për atë që keni në kujdestari.”

Fëmija, kur lind, lind në natyrshmërinë e tij të pastër, por prindërit luajnë një rol shumë të rëndësishëm në jetën e fëmijës, sepse prindërit janë njerëzit e parë me të cilët takohet fëmija në fillim të jetës së tij dhe pikërisht këtu formohet edhe esenca e moralit të fëmijëve.

Të flasësh për edukimin e fëmijëve nuk do të mjaftonte një jetë e tërë për shkak të rëndësisë që ka kjo temë, por do të ndalem vetëm tek edukimi i fëmijëve duke përdorur dhunën, rrahjen dhe goditjen e tij…

Rrahja e fëmijëve është një prej defekteve gjatë procesit të edukimit të tyre. Psikologët shënojnë rrezik permanent në edukatën e fëmijës, nëse për metodë të evitimit të problemeve, zhurmës, etj., përdoret dhuna, si: rrahja apo masa të tjera ndëshkuese, që ndikojnë negativisht në psikologjinë e fëmijës.

Fëmija, nga rrahjet që i shkaktohen, krijon përshtypje të distancës dhe arbitraritetit të prindit ndaj tij, gjë që do të ndikojë keq në psikologjinë e fëmijës dhe do të reflektohet në moshën e pjekurisë.

Fëmijët të cilët “edukohen” me dajak dhe dhunë, kur arrijnë moshën e pjekurisë, fitojnë një vetëkënaqësi dhe pavarësi të personalitetit të tyre. Kur u forcohet trupi, pastaj bëhen edhe rebelë dhe të padëgjueshëm, e shpeshherë edhe kërcënues.

Edukimi i fëmijëve përmes dialogut dhe këshillave, ndonëse është i vështirë dhe kërkon durim të madh, krijon te fëmijët një afërsi dhe respekt ndaj prindërve kur të rriten në moshën e pjekurisë. Në këtë mënyrë, atëherë kur më së shumti është nevoja që t’i marrin këshillat dhe mësimet e prindërve dhe edukatorëve, janë në gjendje t’i marrin sugjerimet e tyre më me lehtësi dhe kështu ruhen nga rreziqet e mundshme që i kaplojnë adoleshentët.

Në mësimet islame gjejmë se fëmija mund të rrihet, vetëm atëherë kur i mbush dhjetë vite, pra kur të kuptuarit e ka në nivel, por akoma nuk arsyeton për çështje të rëndësishme siç është namazi. Pra, përderisa prej moshës shtatëvjeçare të fëmijës, janë përdorur format e dialogut dhe marrëveshjes për ta edukuar dhe adaptuar me namaz, nëse në moshën dhjetëvjeçare çalon në kryerjen e atij obligimi për të cilin kishte marrë mësime plot tri vite, atëherë bën të rrihet.

Ashtu siç ka ardhur në hadith: “Urdhëroni (fëmijët) që të falin namazin në moshën shtatëvjeçare dhe rriheni ata (nëse nuk e falin) në moshën dhjetëvjeçare.” Bën të rrihet, por edhe atëherë në masë të vogël e jo duke shprehur mllefin në rrahjen e fëmijës.

Pra, rrihet për çështje të rëndësishme dhe jo për çdo gjë. Sot, me keqardhje, rrahjet, shuplakat, apo goditjet si formë dënimi përdoren si zgjidhje e parë, ndërkohë që hadithi i lartpërmendur tregon se rrihet pas tri viteve përpjekje dhe jo menjëherë. Kjo duhet zbatuar në edukimin e fëmijëve… t’i këshillosh që veprimi që bën është gabim, ti arsyetosh përse nuk duhet ta veprojë atë, nëse vazhdon që të bëjë të njëjtin gabim, ta paralajmërosh, t’ia bësh të qartë që ti je e mërzitur nga ai. Vetëm atëherë, kur shikohet që janë përdorur të gjitha mënyrat për ndalimin e veprimit dhe nuk ka pasur dobi, atëherë mund ta rrahësh për të thënë që ishte zgjidhja e fundit që ti më afrove…

Edukimi i fëmijëve është vërtetë art, por ajo që nuk duhet të harrojmë është se gjithnjë ka mënyra të tjera jo të dhunshme për të zgjidhur problemet…

 

/Adelina Kucana/