Pyetja:

Nëse dikush më le një vegël pune për ta shitur dhe më thotë: unë dua për të kaq lekë dhe përmend një shumë të caktuar. Nëse e shes më shtrenjtë, a më lejohet ta marr shtesën?

***

Përgjigjja:

Përderisa pronari i veglës së punës nuk të ka përmendur apo caktuar ndonjë gjë për hakun tënd të punës atëherë ai hakun tënd e ka llogaritur te shtesa mbi çmim. Pra, nëse do ta shesësh me shtrenjtë për të marrë shtesën.
Kjo çështje është si çështja e një meselje të njohur në fikh kur pronari i thotë tregtarit: “Shite këtë rrobë me kaq dhe çfarë të arrish më tepër është e jotja.”


Dijetarët janë në kundërshtim në lidhje me këtë lloj marrëveshje, ata që e kanë ndaluar janë argumentuar me faktin se fitimi i tregtarit është i panjohur se ai edhe mund të fitojë por edhe mund të mos fitojë gjë nëse nuk arrin ta shesë mbi atë çmim duke e krahasuar këtë me një çështje në fikh që quhet shpërblim apo në gjuhen arabe (Xhuale) kuptimi i secilës është: “Zotim për shpërblim për dikë që kryen një punë”. P. sh.: “Kush më ndërton rrethimin e kopshtit ka këtë shpërblim” ky zotim për të qenë i saktë duhet patjetër të përmbajë shpërblim të përcaktuar ndryshe nuk është i saktë.


Kurse disa dijetarë të tjerë e kanë lejuar dhe këta janë Imam Ahmedi dhe Is’hak bin Rahauejhi (Allahu e mëshiroftë) duke e krahasuar këtë me gjykimin e një lloj ortakërie në tregti që lejohet në islam dhe që në arabisht quhet (Mudarabe) kuptimi i secilës është: Akt mes pronarit që ka mallin dhe tregtarit që kryen shitjen ku në rast fitimi ai ndahet mes tyre dhe në rast humbje pronari humb mallin kurse tregtari mundin dhe në rast se shitet pa fitim asnjëri nuk fiton. Pra edhe këtu tregtari ka raste që del pa fitim.


Ajo që shihet nga natyra e punës së kërkuar pra, kur pronari thotë: Shite këtë rrobë me kaq dhe çfarë të arrish më tepër është e jotja është se ajo ka ngjashmëri me të dyja edhe me Mudaraben edhe me Xhualen por ngjashmëria më e madhe është me Mudaraben sepse është çështje tregtie kështu që kjo lloj marrëveshje është e lejuar dhe kjo është dhe fetvaja e Ibn Abasit prej sahabeve dhe e Ibn Sirinit prej tabiinëve siç i ka përmendur Buhariu në librin e tij të saktë.

Buhariu transmeton se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Nuk ka gjë (ndalim) nëse i thuhet: Shite këtë rrobe me kaq dhe dhe çfarë të arrish më shumë është e jotja”.
Ibn Sirini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse dikush thotë: shite me kaq dhe çfarë është mbi këtë çmim është mes nesh, nuk ka gjë (ndalim) për të.”
Por nuk duhet të harrojmë se nëse pronari i mallit ia paguan vetë tregtarit punën e tij atëherë shtesa mbi çmimin është e pronarit dhe tregtari nuk mund ti marrë të dyja edhe pagën edhe shtesën mbi çmimin dhe Allahu e di më së miri.