Pyetja: Unë i fal rregullisht pesë vaktet dhe nuk kam vendosur asnjëherë qerpikë të mbjellë, sepse kam dëgjuar se nuk pranohet abdesi. Tani po vendos qerpikë që quhen “cluster lashes”. Fillova t’i vendos, por kam një frikë se nuk pranohet abdesi as me këto, andaj desha t’ju pyes juve. Ato vendosen poshtë qerpikëve natyralë, qëndrojnë rreth një javë dhe ngjitësi kapet vetëm në 3–4 qerpikë, ndërsa pjesa tjetër qëndron në sipërfaqe. Kur marr abdes, uji i prek qerpikët dhe edhe rrënjën e tyre, pra pothuajse të gjithë qerpikët lagen. A konsiderohet abdesi i vlefshëm në këtë rast?
Përgjigja: “Sa i përket vendosjes së qerpikëve artificialë, duhet të kemi parasysh se kjo lidhet drejtpërdrejt me vlefshmërinë e abdesit dhe të gusllit. Gjatë larjes së fytyrës në abdes dhe në gusll, duhet të laget e tërë pjesa që quhet fytyrë. Kjo nënkupton se duhet të lagen kapakët e syve dhe uji duhet të mbërrijë te rrënjët e qerpikëve, por gjithashtu duhet të lahen edhe vetë qimet e qerpikëve, ashtu siç lahen qimet e vetullave.
Nëse dikush vendos në vetulla ndonjë lloj masti apo kremi, i cili ia pamundëson lagien e qimeve, abdesi i tij nuk është i rregullt. E njëjta gjë vlen edhe për qerpikët: nëse ata ngjiten në rrënjë, ose ngjiten në gjysmën e gjatësisë së tyre për t’i zgjatur me një ngjitës apo material që e pengon ujin të depërtojë në qerpikët natyralë, atëherë llogaritet se uji nuk ka mbërritur në të gjitha pjesët e detyrueshme për abdes.
Në pyetje u përmend se qerpikët ngjiten tufë-tufë (nga dy-tri qime), duke krijuar një sasi të madhe qerpikësh të mbështjellë me ngjitës. Nëse ky ngjitës nuk e lejon ujin të depërtojë në qime dhe në rrënjët e tyre, atëherë abdesi nuk konsiderohet i plotë, pasi nuk ka prekur të gjitha pjesët e fytyrës, ku bëjnë pjesë edhe qerpikët.
Prandaj, duhet pasur kujdes, sepse abdesi dhe namazi janë shumë më të shtrenjtë sesa dukja e jashtme apo pasja e disa qerpikëve pak më të bukur.”
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




