Pyetja:
Unë nuk di të lexoj Kuranin arabisht, por pandërprerë e dëgjoj. Cila është më e preferuar; të lexoj Kuran në gjuhën shqipe (një herë e kam lexuar), apo ta dëgjoj atë në gjuhën arabe?
***
Përgjigjja:
Derisa nuk dini të lexoni Kuranin në origjinal, atëherë dëgjojeni atë! Në anën tjetër lexojeni edhe përkthimin e tij në gjuhën shqipe!
Në këtë rast do të preferonim që t’i bashkonit të dy mënyrat, pasi recitimi dhe leximi i Kuranit ka shpërblimin e vet të veçantë, çfarë nuk e ka leximi i përkthimit. Po ashtu vet recitimi i Kuranit origjinal ka edhe dobi të tjera siç është luftimi i djallit nga shtëpia, shërimi etj. Mirëpo duhet ditur se nga qëllimet e leximit të Kuranit përveç atyre që u thanë më lartë, është edhe të kuptohet përmbajtja e tij, gjë që nuk do të mund ta arrinit nëse nuk do ta lexonit përkthimin në gjuhën që e kuptoni. Andaj padyshim se edhe leximi i përkthimit të Kur’anit do të ishte i shpërblyer çdo herë që e lexoni për ta ditur kuptimin e ndonjë pjese të tij, ndonëse jo sa vet leximi në origjinal. Kështu, përmbaji të dy mënyrat herë pas here dhe planifiko që në të ardhmen të mësohesh ta lexosh Kuranin në origjinal, pasi mësimi i leximit të Kuranit është i thjesht dhe nuk kërkon shumë kohë, kurse vet leximi e ka shpërblimin; çdo shkronjë me nga 10 sevape.
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku