A prishet nikahu nëse burri vepron pa lejen e gruas?

Pyetja është pak e paqartë, por le të sqarojmë dy raste të mundshme:

  1. Akt martesor pa pëlqimin e vajzës:
    Nëse pyetja ka të bëjë me faktin nëse akti martesor është i vlefshëm pa pëlqimin e vajzës, përgjigja është jo. Një nga kushtet kryesore të një nikahu të vlefshëm është pëlqimi i të dy palëve, djalit dhe vajzës. Nëse njëri prej tyre nuk pajtohet, akti martesor nuk konsiderohet i vlefshëm.
  2. Shkurorëzimi (divorci) pa dijeninë e gruas:
    Nëse pyetja i referohet shkurorëzimit, atëherë është e rëndësishme të kuptohet që shkurorëzimi është përgjegjësi e burrit dhe mund të bëhet pa dijeninë e menjëhershme të gruas. Megjithatë, burri duhet të ketë arsye të forta për shkurorëzim dhe jo për arsye të vogla apo banale. Pasi burri merr vendimin për shkurorëzim, ai duhet t’i tregojë gruas për këtë vendim, që ajo të fillojë procesin e pritjes (idetit), duke marrë parasysh nëse do të rikthejnë lidhjen martesore apo do t’i japin fund asaj.

Në raste kur burri është në Kosovë dhe gruaja në një vend tjetër, dhe ai vendos për ndarje, njoftimi i gruas është momenti kur procesi i shkurorëzimit fillon. Nuk është e nevojshme që burri të marrë lejen e gruas për të prishur nikahun, pasi shkurorëzimi nuk është një marrëveshje tregtare ku duhen dy palë për t’u prishur marrëveshja.

Nëse burri ka vendosur për shkurorëzim dhe gruaja nuk pranon, kjo gjithsesi konsiderohet si prishje e nikahut.

Çështja e shkurorëzimit nga gruaja:
Në të njëjtën mënyrë, gruaja që dëshiron të ndahet nga burri mund të drejtohet në gjykatë nëse ka arsye të forta për këtë. Nëse gjykata apo familjet e të dy palëve vendosin për ndarje, dhe burri nuk është dakord, lidhja martesore gjithsesi merr fund.


Hoxhë Dr. Rasim Haxha