Pyetja:
A është e vërtetë se takohen shpirtrat e të gjallëve me ato të të vdekurve?
***
Përgjigjja:
Fjalë si këto i përmend imam Ibnul Kajjim i ka përmendur në librin e tij ‘Er Ruuh’ (Shpirti).
Në këtë libër dhe në të gjitha vendet ku Ibnul Kajjimi ka trajtuar temën e shpirtit, ka cituar (përcjellë) prej librit “Er ruuh uen nefs” (Shpirti dhe nefsi) të dijetarit Ibn Mendeh, i cili është libër musned (me hadithe dhe transmetime me zinxhiret e tyre), dhe aty ka shumë lajme. Ky libër i Ibn Mendeh nuk dimë të ekzistojë, pra është prej librave të humbur – me aq sa dimë. Sidoqoftë ditët janë përpara nesh dhe nuk e dimë se çfarë do të na zbulojnë. E ndoshta Allahu i Lartëmadhëruar e lehtëson gjetjen e tij!
Ka pak zgjerim tek imam Ibn Tejjmije dhe te nxënësi i tij Ibnul Kajjim në çështjen e shpirtit. Shpirtrat e të gjallëve takohen me të vdekurit në ëndërr dhe kjo saktësohet prej Ibn Abbasit. Në ëndrra pra – siç ka thënë Ibn Abbasi – takohen të gjallët me të vdekurit. Ndërsa pohimi i takimit (mes të gjallëve dhe të vdekurve) në vend tjetër, për këtë nuk kemi dije.
A takohen të vdekurit mes tyre? Po, shejh Albani ka saktësuar dy hadithe për këtë në “Sahihah”. Në njërin prej tyre Pejgamberi ﷺ thotë: “Zgjidhini të mirë qefinet e të vdekurve tuaj, sepse ata takohen mes tyre.” Kështu që ne mund ta pohojmë takimin mes të vdekurve. Ndërsa për sa i përket lidhjes mes të gjallit dhe të vdekurit, ata (të vdekurit) janë në ‘Berzekh’. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe pas tyre ka një ‘berzekh’ (perde) deri në ditën kur të ringjallen.” (Muminun: 100)
‘Berzekh’ dtth: pengesë mes jetës së dynjasë dhe Akhiretit (Botës Tjetër), që është ose Xhennet ose Zjarr. Lus Allahun të na bëjë të gjithëve prej banorëve të Xhennetit.
Kështu që mes të gjallit dhe të vdekurit ka një pengesë (perde). Dhe nëse ne e pohojmë takimin mes të gjallit dhe të vdekurit kemi nevojë për argumente të drejtpërdrejta dhe të sakta. U përpoq imam Ibnul Kajjim të sillte disa të tilla duke u mbështetur në ëndrra, për të cilat tha se kanë ardhur me shumicë (muteuatirah) nga njerëz të ndryshëm të devotshëm. Por kjo është temë që lidhet me të fshehtën (gajbin) dhe nuk mund të pohohet bazuar mbi ëndrra, sipas fjalës më të saktë.
Prandaj ne pohojmë atë që ka ardhur në argument, dmth takimin mes të vdekurve, dhe pohojmë takimin e të gjallëve me të vdekurit në ëndrra, ndërsa të tjerat veç tyre: shpëtimi në çështjet e gajbit është që të heshtim prej tyre. I shpëtuar në çështjet e gajbit është ai që hesht prej tyre (kur nuk ka argument).
Shejh Mes’hur Hasen