Pyetje: Dikush ka këputur këmbën dhe pyet rreth abdesit. A e kam detyrë larjen e kësaj
gjymtyre gjatë abdesit? 
Përgjigje: Në varësi të masës së dëmtuar dhe të këputur të gjymtyrës së abdesit, dijetarët kanë dhënë sqarimet e mëposhtëme: 
1.    Kur gjymtyra e cila është detyrë të lahet gjatë abdesit është këputur në gjysëm të saj ose pjesërisht, psh (gjysma e shputës së këmbës ose gjysma e parakrahut.), në këtë rast, është detyrë unanimisht që të lahet pjesa e mbetur e gjymtyrës.
2.   Kur gjymtyra e cila është detyrë të lahet gjatë abdesit është këputur deri në nyjen e gjymtyrës (pra deri tek kyçet e këmbës ose deri tek bërryli në rastin e parakrahut.), pra dy nyjet e këmbëve dhe bërryli kanë mbetur pa prerë.  Në këtë rast është detyrë që të lahen dy zogjtë e këmbës dhe bërrylat, sipas mendimit më të saktë.
3.  Kur gjymtyra e cila është detyrë të lahet gjatë abdesit, është këputur së bashku me nyjen e gjymtyrës (pra së bashku me kyçet e këmbës ose së bashku me bërrylin në rastin e parakrahut.), pra edhe dy nyjet e këmbëve dhe bërryli janë prerë.  Në këtë rast unanimisht ai nuk ka detyrë të lajë gjë prej gjymtyrës së mbetur, sepse gjymtyra që sheriati e ka bërë detyrë që të lahet nuk egziston dhe si e tillë detyrueshmëria kundrejt saj bie. Por kanë dhënë mendime të ndryshme rreth pëlqyeshmërisë së larjes së skajeve të pjesës së mbetur nga gjymtyra. Shumë dijetarë janë të mendimit se është e pëlqyeshme që të lahet kjo pjesë sepse kjo bën pjesë në (isbag el udu) plotësimin dhe përkryerjen e abdesit.
 
   Nëse monton një gjymtyrë artificiale, ai nuk e ka detyrë që ta lajë atë protezë. Me vendosjen e protezës ai nuk ka asnjë detyrim shtesë përveç asaj që u përmend më sipër. Kjo nuk i përngjan veshjes së mesteve të cilave duhet tu japësh mes’h, sepse mestet janë veshur mbi një gjymtyrë reale për të cilën sheriati na ka urdhëruar që ta lajmë. Ndërsa në këtë rast kemi të bëjmë me një gjymtyrë artificiale.
 
Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH