Pyetja:

Çfarë mund të thuhet për ata njerëz që flenë gjatë gjithë ditës në Ramazan, disa falen me xhemat dhe disa jo, a është agjërimi i tyre i saktë?

***

Përgjigjja:

Agjërimi i tyre quhet i kryer dhe heq përgjegjësinë, por ai është i mangët dhe në kundërshtim me qëllimin që kërkon feja nga agjërimi. Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare 183) dhe Profeti ﷺ ka thënë: “Kush nuk i braktis fjalët dhe punët e këqija dhe padijen, Allahu nuk ka nevojë për të që ai të braktisë të ngrënët dhe të pirët e tij.”

Dihet se lënia pas dore e namazit dhe moskokëçarja për të, tregon mungesë devotshmërie dhe është prej punëve më të këqija dhe në kundërshtim me qëllimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ me agjërimin.

Është e habitshme sesi këta njerëz flenë gjatë gjithë ditës dhe rrinë gjatë gjithë natës zgjuar! Nuk është habi që duke ndenjur gjatë gjithë natës zgjuar të merren me gjëra të kota, nga të cilat nuk kanë dobi, apo me gjëra të ndaluara me të cilat marrin gjynah.

Këshilla ime për ta dhe të tjerë si puna e tyre është se, ata duhet t’i frikësohen Allahut të Madhëruar dhe të agjërojnë ashtu siç është për të agjëruar, ashtu siç e kërkon Allahu, ta shfrytëzojnë kohën duke përmendur Allahun, duke lexuar Kuran, duke u falur, duke u bërë mirë njerëzve dhe plot gjëra të tjera, të cilat i kërkon feja islame.

Profeti ﷺ ishte njeriu më bujar, por akoma dhe më bujar ai bëhej në Ramazan kur e takonte Xhibrili dhe i mësonte Kuranin. Profeti ﷺ ishte më bujar sesa një erë e begatë. [1]

Shejh Ibn Uthejmin, “Pyetje – Përgjigje mbi Agjërimin”

——————————————————-

[1] Buhariu, 1902.