Pyetja:

Cili është avreti i femrës muslimane në mesin e femrave muslimane?

***

Përgjigjja:

Me të vërtetë, të gjitha falemnderimet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij
ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga epshet dhe veprat tona
të këqija. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush përpos Allahut, që është Një
dhe i pa shokë, dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

Allahu në Kuranin fisnik thotë: “… të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat, ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra...” (Nur: 31)
Nga kjo që është theksuar në ajetin e lartshënuar konkludojmë se femrës besimtare i
lejohet që t’i tregojë bukuritë e saja (si p.sh fytyra, flokët, qafa, parakrahun, pjesa e
poshtme e këmbës,) në mesin e muslimaneve, robëreshave si dhe fëmijëve që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Megjithatë, pyetja ka të bëjë me llojet e veshjes, të cilat janë të lejuara dhe të përshtatshme në këso lloj situatash.
Ajo që kërkohet nga femra muslimane është të jetë e dëlirë dhe të ketë turp, të jetë shembull për motrat e saja muslimane, dhe në mesin e grave besimtare të mos zhvishet jashtë normales, që t’u tregojnë njëra-tjetrës avretet. Kjo është çfarë fillimisht u takon atyre të bëjnë dhe kjo është më e sigurt. Nëse ajo e tregohet e shkujdesur në shfaqjen e asaj që nuk është e nevojshme të shfaqet, kjo mund të çojë edhe më tej nëshkujdesje dhe, si pasojë, në atë që është e ndaluar.
Allahu e di më së miri.

Shejh dr. Salih ibn Fevzan

Përktheu: Ebu Unejs