Pyetja:

A e bën të papastër ujin gruaja me menstruacione, nëse e prek atë?

***

Përgjigjja:

Imam Neveviu ka thënë:

Parimi madhështor është se muslimani është i pastër në jetë dhe në vdekje. Në jetë, ai është i pastër (tâhir) sipas konsensusit të dijetarëve.
Dijetarët kanë thënë se nuk është e urryer (mekruh) të shtrihesh me bashkëshorten apo ta puthësh atë ndërsa ajo është me menstruacione, dhe nuk është e urryer për të (gruan) që ta fusë dorën e saj në ndonjë lëng. Përgatitja e ushqimit, brumi dhe gjëra tjera që ajo bën, nuk janë të urryera; uji që mbetet nga ajo dhe djersa e saj janë të pastra.
Lidhur me këtë, dijetarët janë të një mendjeje. Imam Ebu Xha’fer Muhamed ibn Xherîr përcolli në librin e tij mbi qëndrimet e dijetarëve se muslimanët janë pajtuar njëzëri rreth kësaj, dhe prova për të në Sunet është e qartë dhe e mirënjohur.” [1]
Ibn Kudame ka thënë:
”Sa i përket pastërtisë së ujit, s’ka pështjellim lidhur me këtë, përveç nëse ka diçka të papastër në duart e tyre, sepse trupat e tyre janë të pastër dhe gjendja e tyre (menstruacionet) nuk nënkupton se trupat e tyre janë të papastër.
Ibn el-Mundhir tha: ’Shumica e dijetarëve janë pajtuar se djersa e atij që është xhunub, është e pastër. Kjo qe vërtetuar nga Ibn Umeri, Ibn Abbasi dhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), si dhe nga fukaha të tjerë. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), ka thënë: ’Djersa e gruas me menstruacione, është e pastër’.
Dhe ky është mendimi i Malikut, Shafiut, dhe i Ithtarëve të opinionit, dhe nuk është përcjellë ndonjë dallim në mendime nga ndokush.” [2]

———————

[1] Sherh Muslim

[2] el-Mugnî 1/135