Besimi në librat e Allahut është besim i patundshëm se të gjithë librat janë shpallur prej Allahut të Plotfuqishëm tek robërit e Tij, me të vërtetën e qartë si udhërrëfyes për tek e vërteta. Këta libra janë fjalë të Allahut të Lartësuar e assesi të ndokujt tjetër.
Çfarë nënkuptojmë me besimin në librat e Allahut?
1. Besim i patundshëm se janë shpallur nga Allahu.
2. Besim në emrat e atyre librave që i njohim emrat e tyre, si Kur’ani i cili zbriti tek Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Pastaj Teurati i cili i është shpallur Musait alejhi selam, Inxhili i është shpallur Isait alejhi selam, dhe Zeburi i është shpallur Davudit alejhi selam.
Sa për librat emrat e të cilëve nuk i dimë, besojmë në ta në mënyrë të përgjithshme, si shpallje prej Allahut.
3. T’u besojmë bindshëm lajmërimeve të shpallura në këto libra. Lajmërimet e Kur’anit i besojmë tërësisht kurse të librave paraprak i besojmë vetëm ato lajme që njerëzit nuk i kanë ndryshuar.
4. Praktikimi i dispozitave të cilat nuk janë anuluar si dhe pranimi i tyre me kënaqësi. Të gjithë librat qiellorë janë anuluar me shpalljen e Kur’anit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre”(S. Maide: 48), që do të thotë dominues mbi ta. Duke iu referuar këtij ajeti na është ndaluar që të punojmë me mësimet e librave të mëhershëm, përveç verseteve të sakta në to dhe të miratuara nga Kur’ani.
Frytet e besimit në libra
1. Dituria për mëshirën dhe përkujdesjen e Allahut të Lartësuar që ka ndaj njerëzimit, pasi i shpalli çdo populli libër që t’i udhëzojë në rrugë të drejtë.
2. Mësimi për urtësinë e plotë të Allahut, pasi i shpalli çdo populli libër që iu përshtat gjendjes së tyre.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë.(S. Maide: 48)
3. Falënderimi i Allahut për këtë mirësi.“Shpjegimi i tre parimeve të Imanit”, (Muhamed Salih Uthejmin)




