Pyetja:

Çfarë duhet të bëjë ai i cili hyn në xhami derisa tjerët janë duke e falur jacinë, ndërsa ai nuk e ka falur ende akshamin?

***

Përgjigjja:

Mendimi korrekt është se kur ju e mbërrini imamin dhe ai është duke e falur namazin e jacisë ndërsa ju ende nuk e keni falur namazin e akshamit, atëherë ju duhet t’iu bashkoheni atyre. Kur ai të ngrihet për rekatin e katërt, ju duhet të uleni, edhe pse ju veproni ndryshe nga imami, e përfundoni teshehudin dhe pastaj jepni selam, dhe hyni me imamin në atë që është mbetur nga namazi i jacisë. Disa nga dijetarët thonë se ju së pari duhet të falni namazin e akshamit vetëm apo me ata që janë me ty, pastaj pas kësaj duhet të bashkoheni me imamin në atë që ka mbetur nga namazi i jacisë. Dhe disa nga dijetarët kanë thënë se ju hyni me imamin me qëllim të namazit të jacisë dhe pasi që ta keni kryer atë (me xhemat) ju e falni namazin e akshamit. Pra këto janë tri mendimet e dijetarëve dhe më i forti prej tyre dhe më korrekti është i pari. Pra ju duhet të hyni me ta me qëllim të namazit të akshamit, pastaj kur imami të ngrihet për rekatin e katërt, ju duhet të rrini ulur, e thoni teshehudin dhe jepni selam. Dhe kur ta përfundoni këtë, hyni meimamin në atë që ka mbetur nga namazi i jacisë.

Shejh Ibn Uthejmin