Njeriu që është i sinqertë dhe ka kërkuar zgjidhje nga Zoti, ia ka lënë Atij çështjet e veta duke falur istiharen.

Nëse ajo çështje i lehtësohet, kjo është një shenjë se është mirë për të, por nëse ndalet dhe i vështirësohet, atëherë ai duhet ta harrojë atë dhe të kuptojë se ndalesa është e mirë, inshallah. Kjo kuptohet edhe nga pjesa e hadithit të Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur me të, që ka lidhje me istiharen, ku Profeti alejhi selam tha:

“O Zot, nëse në dijen Tënde kjo punë e imja (përmend këtu me emër problemin tënd) është hajr për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëj të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko. E nëse në dijen Tënde kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen dhe të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hajrin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të.”

Imam Neveviu është i mendimit se, pasi të falet namazi i istihares, njeriu duhet të bëjë atë çfarë i ndien zemra dhe të ndihet mirë për atë që bën dhe të mos ngulë këmbë të veprojë atë që kishte dëshiruar para se të falte namazin e istihares. Nëse ndjenjat e tij ndryshojnë, ai duhet ta lërë atë që kishte për qëllim, përndryshe ai nuk po e mbështet tërë çështjen e tij tek Allahu dhe nuk do të ishte i sinqertë në kërkimin e zgjidhjes te fuqia e Allahut. Sinqeriteti në kërkimin e zgjedhjes së Allahut nënkupton që besimtari ta braktisë tërësisht atë që kishte dëshiruar apo ishte i vendosur të vepronte.

Nëse një person e fal istiharen si duhet, atëherë ai duhet të vazhdojë me bërjen e veprimit, dhe jo të rrijë duke pritur ndonjë ëndërr, siç mendojnë shumë njerëz, pasi nuk ka argumente të sakta se duhet të ketë patjetër ëndërr si përgjigje. Nëse një person sheh ëndërr, mund t’ia tregojë atë njerëzve që kanë dije e t’ia shpjegojnë atij.

Edhe nëse personi nuk sheh ëndërr ose nuk ndien diçka në zemër pas faljes së namazit të istihares, edhe pasi ka bërë gjithçka që duhet për të gjetur se çfarë është më e mirë për të, si për shembull është konsultuar me njerëz të tjerë që kanë përvojë, atëherë ai vazhdon dhe e bën atë veprim që mendon se është më i mirë për të. Atëherë shpresohet se ajo që është duke bërë do të jetë gjëja më e mirë për të, edhe nëse ai nuk ndjen rehati në fillim në zemër.

Edhe nëse supozohet se ai nuk arrin të ketë sukses në atë çështje edhe pasi ka falur namaz istihare, ajo mund të jetë e mirë për të, edhe nëse ai nuk e di. Por Zoti e di. Ibn el-Haxh Maliki ka thënë: Disa njerëz falin istihare dhe presin të shohin ndonjë ëndërr nga e cila do të marrin një vendim, nëse do të vazhdojnë me atë veprim për të cilën falën istihare apo jo, ose që dikush tjetër të shohë një ëndërr për ta. Kjo nuk vlen, pasi i Dërguari i Allahut alejhi selam na ka thënë të falim istiharen e të konsultohemi me të tjerët dhe jo të mbështetemi te ëndrrat.


/Përgatiti: Eglantina Muça/