Farefisnia, kuptimi, llojet dhe shpërblimi i lidhur pas saj.
Farefisnia, ose ndryshe lidhja e barkut është lidhje e respektuar dhe e nderuar te të gjithë profetët e Allahut dhe në gjithë librat e Tij.
Respektimi i saj madje është shenjë dalluese e dërgimit të profetëve prej Allahut të Madhëruar, sepse Allahu i Madhëruar është i Urtë dhe prej urtësisë është ruajtja e çdo gjëje pa të cilën bota do të shkonte në shkatërrim.
Kjo sepse njeriu është i dobët dhe nuk i përballon dot i vetëm vështirësitë e kësaj bote. Ai ka nevojë për mbështeje shpirtërore dhe materiale. Dhe kjo gjendet te farefisnia.
▪️Domethënia e fjalës farefisni.
Fjala farefisni në arabisht është “Rahim” dhe do të thotë: mitra, vendi ku formohet fëmija në barkun e nënës.
Për çudi kjo fjalë ka të njëjtën rrënjë me emrin e Allahut Err-Rrahman që do të thotë: Mëshiruesi. Profeti alejhi selam njofton se kjo lidhje nuk është e rastësishme, por është prej Allahut siç transmetohet nga Ebu Hurejra radiallahu anhu se Profeti alejhi selam ka thënë:
“Ka thënë Allahu i Madhëruar: Unë jam Mëshiruesi dhe ky është barku (dmth: lidhjet e barkut, farefisnia). I kam nxjerrë atij një emër prej emrit tim. Kush i mban lidhjet me të, do ta e mbuloj me mirësi dhe kush i pret lidhjet me të, do tia ia pres mirësinë” (E transmeton Imam Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani)
Nxerrja e emrit të farefisnisë nga emri i Allahut Rrahman i cili tregon për mëshirë do të thotë se farefisnia është vendi ku duhet të mbizotërojë mëshira
▪️Llojet farefisnisë.
Lloji i parë: Farefisnia qe Allahu e ka bërë detyrë të mbahet lidhja me ta dhe këta njerëz janë:
1- Ata njerëz të cilët njeriu rrjedh prej barkut të tyre dhe këta janë: babai, nëna dhe gjyshërit nga babai dhe nëna.
2- Ata njerez të cilët rrjedhin prej barkut tënd dhe këta janë: bijtë, bijat, nipat, mbesat etj.
3- Ata njerëz të cilët njeriu bashkohet me ta në një bark dhe këta janë: vëllezërit dhe motrat.
4- Ata njerëz të cilët babai bashkohet me ta në një bark dhe janë xhaxhallarët dhe hallat.
5- Ata njerëz të cilët nëna bashkohet me ta në një bark dhe janë dajat dhe tezet.
Lloji i dytë: farefisni që Allahu e ka pëlqyer të mbahet lidhja me ta dhe këta janë bijtë dhe bijat e: xhaxhallarëve, hallave, dajëve dhe tezeve.
▪️Cfarë shpëblimi ka ai që e ruan lidhjen me farefisin?
Transmetohet nga Ebu Hurejra radiallahu anhu se Profeti alejhi selam ka thënë: “Allahu kur i krijoi krijesat dhe mbaroi nga krijimi, u ngrit farefisnia dhe u kap pas mesit të Allahut.
Allahu i tha asaj: Mjaft!
Ajo i tha Atij: jam ngritur për të kërkuar mbrojtjen tënde nga prerja e lidhjeve farefisnore.
Allahu i tha asaj: Je e kënaqur që të mbuloj me mirësi atë që i ruan lidhjet me ty dhe ta pres mirësinë prej atij që i pret lidhjet me ty?
Ajo i tha: Po, o Zot!
Atëherë Allahu i tha: Ashtu u bëftë!”
Ebu Hurejra radiallahu anhu thotë: Lexoni nëse doni fjalën e Allahut:
“E çfarë pritet prej jush nëse i ktheni shpinën (Kuranit dhe punës me të) veçse të prishni në Tokë dhe të prisni lidhjet farefisnore. Këta janë ata të cilët i mallkoi Allahu, ua shurdhoi veshët dhe ua verboi sytë” Sure Muhamed: 22-23.
E transmeton Buhariu.
▪️Ky hadith tregon se shpërblimi i mbajtjes së lidhjes farefisnore është mbushja me mirësitë e Zotit dhe prerja e kësaj lidhjeje të çon në mallkim.
/Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli/





