Allahu (Tebareke ue Te ala) ka thënë:

بَلْ هُوَ قُرْآنٌ مَّجِيدٌ فِي لَوْحٍ مَّحْفُوظٍ

Po, ai është Kuran madhështor, Në Leuhi Mahfudh (pllakë të ruajtur mirë).” 1

Ibn Xheriri ka transmetuar se Enes bin Malik ka thënë: Leuhi Mahfudhi (pllaka e ruajtur mirë) gjendet në ballin e Israfilit.”

Ibn Ebi Hatim ka transmetuar se Abdurr-Rrahman bin Selman ka thënë: “Leuhi Mahfudhi (pllaka të ruajtur mirë) gjendet në mes të syve të Israfilit dhe atij nuk i lejohet të shikojë në të.”

Hasan el-Basri ka thënë: “Ky është një Kur’an i lavdishëm tek Allahu i cili është në një pllakë të ruajtur. Nga ajo zbret ajo që Allahu dëshiron për këdo që dëshiron Ai.”

El-Bagvi transmeton se Ibn Abasi ka thënë: “Në fillim të pllakës shkruan: ‘Nuk ka Zot (që meriton të adhurohet me të drejtë) përveç Allahut të Vetëm. Feja e vërtetë është islami dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij’.”

Ai gjithashtu ka thënë: “Pllaka është nga perlat e bardha, gjatësia e të cilës është sa distanca mes qiellit dhe tokës, dhe gjerësia e saj është sa distanca mes Lindjes dhe Perëndimit. Qoshet e saja janë nga perlat dhe koralet, e faqet e saj janë nga rubinët e kuq. Lapsi i saj është dritë dhe të folurit e saj është e lidhur për Froni.”

Mukatil ka thënë: “Leuhi Mahfudhi (Pllaka e Ruajtur) është në të djathtë të Arshit.”

Allahu e di më së miri!

1 El-Buruxh 85:21-22


Imam Ibn Kethir ed-Dimeshkij (vdiq. 774)

Burimi: Tefsir el-Kur’an el-Adhim (4/640)
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com