Pyetja:

Çfarë gjykimi ka veshja e rrobës me ngjyrë të kuqe për burrat?

***

Përgjigja:

Është saktësuar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka veshur një “abaje” (palltoja i afrohet më shumë nga rrobat tona) me ngjyrë të kuqe. Disa prej dijetarëve – prej tyre edhe imam Ibnul Kajjim – kanë thënë se ajo ishte e përzier me të kuqe, dhe nuk ishte e kuqe shqeto (sade). Imam Sheukani e ka kundërtshtuar në këtë gjë, dhe shejh Albani e ka pëlqyer këtë kundërshtim (të Sheukanit – Allahu i mëshiroftë të gjithë) duke thënë: “Hadithi ka ardhur pallto e kuqe, përse të themi e përzier me të kuqe?!” Dmth teksti i hadithit nuk e lejon këtë.

Këto çështje vëllezër, çështjet e rrobave janë zakone, dhe i nënshtrohen etikës, prandaj duhet që njeriu të largohet nga gjërat që janë të pahijshme në zakonet e njerëzve për sa i takon veshjes. Për shembull: nëse ti vjen i mbuluar nga kërthiza deri te gjunjët, e ke kryer atë që ke detyrim, por të ecësh në rrugë me kraharorin të zbuluar, apo duke shfaqur pjesën poshtë gjunjëve të tua, kjo gjë konsiderohet turp tek njerëzit, diçka që bie ndesh me etikën (zakonet e vendit).

Që njeriu të konsiderohet “adil” (i drejtë – i cili nëse është edhe i besueshëm nga memoria, i pranohet hadithi), – siç e sqaron Ibn Haxheri në “En nukhbeh”, dhe me këtë kanë ecur edhe dijetarët -, pra njeriu konsiderohet “adil” (i drejtë) me tre gjëra:

  1. U largohet gjynaheve të mëdha.
  2. Nuk këmbëngul në gjynahe të vogla.
  3. Largohet nga ato që bien ndesh me etikën.

Etika është zakoni që mbizotëron tek njerëzit. Dhe etika – për fat të keq – zbehet kur shtohet  prishja e  moralit. Dikur njerëzit e konsideronin turp që njeriu të hajë duke ecur rrugës. Një prej mësuesve të mi më ka treguar: Kur isha djalë i ri jepja mësim në “Xhaminë e Husejnit”, pasi dola më erdhi një burrë i thinjur, i thyer në moshë dhe më tha: O shejkh, kur të pash duke ngrënë në rrugë nuk jam ulur më në mësimin tënd, mos ha duke ecur në rrugë!” Ishte turp tek ata të ngrënit në rrugë. Ndërsa tani gratë hanë në rrugë! – Allahu na ruajtë! Gati sa nuk ka vdekur etika.

Ata që kanë etikë sot janë të paktë. Sikur të ngriheshin nga varret gjyshërit tanë dhe të shikonin nipërit e tyre, të shikonin pamjet dhe sjelljet e tyre, do të ishin habitur e çfarë të habituri! Prandaj, që njeriu të qëndrojë i veshur me etikë dhe me moral të bukur dhe, të qëndrojë lartë me sjelljet e tij, kjo është diçka e mrekullueshme, të cilën Allahu e pëlqen dhe kënaqet me të.

Allahu e di më së miri.

Përktheu: Udha e Besimtarëve