Dallimi ndërmjet dijetarit dhe thirrësit në fenë e Allahut është i dukshëm. Thirrësi në fenë e Allahut është ai që mundohet t’u komunikojë fenë njerëzve, duke i ftuar ata herë në shpërblimin e Allahut e herë duke i frikësuar nga dënimi i Tij. Ndërsa dijetari është ai, të cilit Allahu i ka dhënë dije e mund të jetë edhe thirrës ose mund të mos jetë i tillë. Por nëse ai nuk është thirrës, dija e tij është shumë e mangët dhe nuk është trashëgimtar i plotë i Profetit, sepse Profetët (alejhim selam) nuk kanë lënë trashëgimi as flori e as argjend, por kanë lënë trashëgimi dijen. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Me të vërtetë dijetarët janë trashëgimtarët e Profetëve dhe Profetët nuk kanë lënë trashëgimi as dinar e as dirhem, por kanë lënë trashëgimi dijen. Ai që e merr këtë, pa dyshim se ka marrë një hise të mirë.”(Transmeton Ebu Daudi, nr. 3641; Ibn Maxheh, nr. 223; Tirmidhiu, nr. 2682)

Pra ai që merr dije dhe fton për në fenë e Allahut, ai me të vërtetë ka trashëguar nga trashëgimia e Profetëve për aq sa ai ka zbatuar fenë e tyre.

Ndërsa thënia e disave: Mund të jesh thirrës pa pasur dije. Nëse kanë për qëllim thirrës me jo shumë dije për të nxjerrë fetva për çështje të ndryshme nga argumentet e tyre përkatëse, kjo mund të pranohet. Ndërsa të jetë thirrës në fenë e Allahut e nuk e di se për çfarë fton, e me çfarë fton, kjo padyshim se nuk duhet të ekzistojë. E unë tërheq vëmendjen që askush të mos ftojë për tek e vërteta në këtë mënyrë, sepse ai më shumë prish sesa rregullon, siç edhe kuptohet.

Shejh Uthejmini