Pyetja:

Çfarë shpërblimi i pret agjëruesit?

***

Përgjigjja:

Sipas haditheve të Pejgamberit ﷺ, shpërblimi i cili pret agjëruesit është: “Me të vërtetë në Xhenet ekziston një derë e cila quhet Rejjan. Në të do të hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër pos tyre.” [1]

Muaji Ramazan është adhurim, mëshirë, falje. Ai konsiderohet devotshmëri, mbrojtje për shpirtin dhe epshin. Është shpëtim, qetësi, paqe, solidaritet e vëllazërim ndërmjet besimtarëve. Muaji Ramazan është bindje, mirësi dhe afrim tek Allahu i Madhëruar. Është periudhë qetësie, në të cilën hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Kur vjen muaji Ramazan, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” [2]

Muaji Ramazan është njëri ndër dymbëdhjetë muajt e kalendarit hënor, më konkretisht muaji i nëntë. Ndonëse ka vlerë dhe rëndësi të veçantë, muaji Ramazan, në Kuranin fisnik nuk është përmendur në mesin e katër muajve të shenjtë (Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexhep), të cilët në mesin e arabëve gëzonin privilegj të madh. Në këta muaj ndaloheshin luftërat dhe gjakrrjedhja. Por, muaji Ramazan ka një specifikë tjetër që e dallon ndërmjet muajve të tjerë, e ajo është agjërimi, si një ndër adhurimet thelbësore, më konkretisht ndër kushtet bazë të Islamit, bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla, dëshmia (shehadeti), falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi (shkuarja në Qabe).” [3]

Ramazani është muaji i vetëm të cilit i përmendet emri në Kuranin fisnik. Ajo që e privilegjon përmendjen e këtij muaji në Kuranin fisnik është vetë zbritja e Librit të Zotit, shpalljes së fundit, udhëzuesit për mbarë njerëzimit. “Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhëzues për njerëzit, me plotë shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja…” (ElBekare, 185). Përveç përmendjes së emrit, Allahu i Madhëruar e ka specifikuar këtë muaj edhe me agjërim. Zoti për këtë, në Kuranin fisnik ka thënë: “O ju që keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (ElBekare, 183).

Devotshmërinë, e përmendur në fundin e këtij ajeti, njeriu e merr si një mbrojtje shpirtërore përballë të këqijave të shumta. Për këtë arsye, agjërimi nuk është vetëm lënie e ushqimit dhe pijes për kohë të caktuar, por është forcim i vullnetit për t’u mbrojtur nga çdo e keqe. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta lërë ngrënien dhe pirjen.” [4] Nga kjo kuptohet se largimi nga gënjeshtra, fjalët e këqija dhe të punuarit me to përbën një nga veprimet më të rëndësishme etike të agjërimit. Agjërimi është sprovë e durimit.

Kurani, madhështori i Ramazanit

Ekziston një lidhje e posaçme ndërmjet Ramazanit dhe Kuranit. Këta të dy janë përmendur bashkërisht në një ajet: “Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë…” (ElBekare, 185).

Është e ditur se në muajin Ramazan ka zbritur i tërë Kurani prej Lehvi Mahfudhit në qiellin e Tokës, për të vazhduar zbritjen graduale për vite të tëra tek i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ.

Nga gjërat më të mira që pritet të bëjë besimtari gjatë ditëve të agjërimit është leximi i shpeshtuar i Kuranit. Pejgamberi ﷺ në ditët e Ramazanit lexonte shumë Kuran. Deri në fund të Ramazani, çdo natë, Xhibrili alejhi selam vinte tek ai dhe ia dëgjonte leximin e Kuranit Pejgamberit ﷺ. Përveç leximit, Pejgamberi ﷺ i dëgjonte edhe të tjerët teksa lexonin Kuran, mirëpo kjo gjë arrin kulminacionin pikërisht gjatë Ramazanit. Për këtë shkak, besimtari që lexon Kuran gjatë agjërimit e përtërinë lidhjen e Ramazanit dhe të Kuranit, e që në fakt, i përgjigjet thirrjes së Zotit, i cili ka thënë: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed) për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.” (Sad, 29)

Mund të themi se Kurani fisnik gjatë Ramazanit ka aromë të posaçme dhe ofron një shkëlqim të posaçëm të porosive hyjnore. Pejgamberi ﷺ porosiste që të lexohet Kurani, ngase ai (leximi i Kuranit), së bashku me agjërimin do të ndërmjetësojnë në botën tjetër për lexuesit e tij, përkatësisht agjëruesit. Ai ﷺ ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kiametit. Agjërimi do të thotë: O Zot, gjatë ditës e privova nga ushqimi dhe epshet, më jep leje të ndërmjetësojë për të. Kurani do të thotë: O Zot, gjatë natës e privova nga gjumi, më jep leje të ndërmjetësojë për të. Tha: Kështu do t’u jepet leje të ndërmjetësojnë.” [5]

Një natë sa njëmijë muaj

Një ndër elementet më të rëndësishme që e bën edhe më të çmuar dhe më të bekuar muajin Ramazan, padyshim se është edhe Nata e Kadrit. Allahu i Madhëruar me madhërinë e Tij ka veçuar ditë, net, muaj, persona e vende. Nga muajt e vitit, Ai zgjodhi Ramazanin për ta veçuar nga muajt e tjerë, e nga ditët dhe netët e këtij muaji, Zoti zgjodhi një natë, të cilën e veçoi dhe e bëri më të vlefshme se njëmijë muaj. Madje, edhe në Librin fisnik, të cilin Ai e veçoi nga libra e tjerë, dhe e zbriti mu në këtë natë, e zgjodhi një sure, të cilën e emëroi po me këtë emër.

Kjo natë ka një vlerë dhe rëndësi të madhe, ngase po në këtë natë, Allahu na mësoi se e zbriti edhe Kuranin fisnik: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (ElKadr, 1); “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.” (EdDuhan, 3).

S’ka dyshim se madhështinë dhe rëndësinë e kësaj nate më së miri e kishte kuptuar vetë i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ. Raporti i tij karshi dynjasë ndryshonte tërësisht kur bëhej fjalë për kërkimin e Natës së Kadrit. Ai fillonte edhe praktikimin e itikafit, e që kuptimin e ka të veçuarit, të burgosurit, të qëndruarit të një personi për një kohë të caktuar në xhami për adhurime duke u larguar nga sjelljet e përditshme.

Siç tregon sahabiu Ebu Seid el-Hudriu, Pejgamberi ﷺ fillimisht hynte në itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit. Më vonë filloi të hynte në dhjetë ditët e mesme. Pasi që kalonte nata e njëzetë, pra në natën e njëzetë e një kthehej në shtëpinë e tij. Edhe të tjerët që qëndronin bashkë me të shkonin në shtëpitë e tyre. Por, në një Ramazan qëndroi në xhami edhe në natën në të cilën e kishte zakon të kthehej në shtëpi. Në një moment, me dorën e vet e largoi me një anë hasrën nga hyrja e tendës. Pastaj e nxori kokën jashtë dhe iu drejtua xhematit me këto fjalë: “Unë hyra në itikaf në dhjetë ditët e para të Ramazanit për ta kërkuar Natën e Kadrit, pastaj fillova ta praktikoj itikafin në dhjetë ditët e mesme. Pastaj m’u tregua se kjo natë gjendjet në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Prandaj, kush prej jush dëshiron të hyjë (përsëri) në itikaf, le të hyjë!” Me këtë rast, edhe xhemati bashkë me Pejgamberin ﷺ hynë në itikaf. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi: “M’u tregua se Nata e Kadrit është në netët tek (21, 23, 25, 27, 29) dhe në një natë në mëngjesin e së cilës do të bëj sexhde në ujë me baltë.” Në mëngjesin e ditës së njëzet e një, kur u çuan për ta falur sabahun, në qiell nuk kishte as edhe një re të vetme. Papritmas u shfaqën retë, filloi të bjerë shi dhe në mesxhid filloi të rridhte ujë. [6]

Më pas, Pejgamberi a.s. i nxiste shokët e tij që ta kërkonin këtë natë në dhjetëshin e fundit të Ramazanit. Nga Aisheja r.a. rrëfehet se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit” [7], e në disa transmetime, ai i specifikoi netët tek të këtij dhjetë netëshi. Po ashtu, nga Aisheja r.a. transmetohet se: “I Dërguari i Allahut ﷺ përpjekjet që tregonte (për të bërë ibadet) në dhjetë ditët e fundi (të Ramazanit), nuk i tregonte në kohë të tjera.” [8]

Madhështia e saj tejkalon mendimet njerëzore, Zoti atë e mbivlerësoi me mbi njëmijë muaj “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” (El-Kadr, 3); e nga kjo ne kuptojmë se adhurimet, ibadete, punët dhe veprat e mira gjatë kësaj nate vlerësohen sikur të jenë bërë përgjatë këtyre muajve që është krahasuar. Si rrjedhojë, Pejgamberi ﷺ, nga mësimet e tij të arta, na mësoi edhe një këshillë të çmuar rreth kësaj nate. Ai ﷺ tha: “Kush ngrihet (për namaz nate) në natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.” [9]

Meqenëse nga rahmeti i Allahut, kjo natë mbeti e pacaktuar, Aisheja r.a. njëherë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ se: “O i Dërguari i Allahut! Nëse unë e takoi këtë natë, çfarë të them në të?! Pejgamberi ﷺ ia mësoi asaj një dua, tha thuaj: “O Zoti im! Ti je falës, e do faljen, falmë mua!”

Duaja, kandili ndriçues i agjëruesit

Të gjithë ne fare mirë e dimë hadithin e Pejgamberit ﷺ, i cili ka thënë se “Duaja e agjëruesit nuk refuzohet.” [10] Shkak për këtë është gjendja e posaçme e zemrës së agjëruesit, ngase zemra e tij agjëron pandërprerë prej të gjitha të këqijave dhe pendohet vazhdimisht tek Allahu i Lartësuar për mëkatet e bëra.

Ramazani është muaj i duave, i madhërimit të Allahut të Lartësuar, muaj i pendimit e i pranimit të duave. Duke qenë se agjëruesit në këtë muaj, buzët i thahen e barku i ngelet i zbrazët, kërkohet nga ai që t’i ngrit duart dhe ta lut Allahun e Lartësuar, i qëndrueshëm dhe i vendosur në dua dhe në kërkimin e faljes nga Allahu.

Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, thuaj Unë jam afër, i përgjigjet lutësit kur ai më lutet” (ElBekare, 186), ky ajet i zbriti të Dërguarit ﷺ, pikërisht atëherë kur sahabët e tij e pyesnin atë se a është afër Zoti i tyre, me qëllim që ta thërrasin dhe ta lusin Atë me zë dhe të qetë.

Besimtari agjërues duhet ta lus Allahun me përulje dhe me bindje se lutja e tij do të dëgjohet dhe do të pranohet tek Allahu. Kështu na ka mësuar Allahu xh.sh. kur thotë: “Lutjuni Zotit tuaj të përulur dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (ElAraf, 55).

Po ashtu, Pejgamberi ﷺ në një hadith na ka thënë: “Çdo natë, kur mbetet pjesa e fundit e natës, Zoti ynë, qoftë i lavdëruar dhe i madhëruar, zbret në qiellin më afërt dhe thotë: A ka kush që të më lutet Mua e që t’ia pranojë? A ka kush që kërkon prej Meje e që t’ia japë? A ka kush që kërkon falje prej Meje që t’ia falë?” [11]

Ky mësim dhe kjo këshillë e të Dërguarit të Allahut ﷺ për lutje drejtuar Zotit duhet të jenë alfa dhe omega jonë përgjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit. E meqenëse duaja e agjëruesit na qenka e pranuar, ne lusim Zotin e Madhëruar që të na mundësojë hyrjen në Xhenet përmes derës së agjëruesve, derës Rejjan. “O Allahu i Gjithmëshirshëm, na jep të mira në këtë botë dhe në Ahiret. Na mbroj prej zjarrit të Xhehenemit, sepse ai është dënim i dhembshëm. O Zot, mos lejo që zemrat tona të enden pasi që i ke nderuar me udhëzimin Tënd dhe na mëshiro o Allahu i Madhërishëm! Vërtet prej Teje është çdo e mirë!”

Përgatiti: Bashkësia Islame e Kosovës

——————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Buhariu (4/97) dhe Muslimi (1079).

[3] Buhariu 8

[4] Buhariu, 1903.

[5] Ahmedi (6589).

[6] Muslimi, marrë prej librit “Islami nëpërmjet haditheve”, fq. 473.

[7] Buhariu.

[8] Muslimi.