Pyetja:

Cila është arsyeja që i bën muslimanët të ndjejnë dashuri ndaj disa nga muslimanët dhe jo ndaj të tjerëve?

***

Përgjigjja:

Ibn el-Kajjim thotë në Reudet el-Muhibbijn, f.66-74: “Pajtueshmëria mes shpirtrave është një nga arsyet më të forta për dashuri. Çdo person tërhiqet nga ajo që i përshtatet atij dhe kjo pajtueshmëri është dy llojesh:

1. pajtueshmëria zanafillore, e cila është e rrënjosur në thelb,
2. ajo që vjen më vonë, për shkak të bashkëjetesës apo pasjes së gjërave të përbashkëta.

Nëse synimet tua përputhen me synimet e tjetrit, do të ketë harmoni mes shpirtrave tuaj; nëse synimet janë të ndryshme, harmonia s’do të ekzistojë më.”

Sa i përket pajtueshmërisë zanafillore, kjo është një lloj i ngjashmërisë në qëndrim dhe i ngjashmërisë së shpirtrave. Secili shpirt e dëshiron atë që është e ngjashme me të, sepse ajo që përngjan me diçka, tërhiqet natyrshëm nga ajo. Dy shpirtra mund të jenë të ngjashëm në krijimin zanafillor, kështu që do të ketë një tërheqje të natyrshme ndaj njëri-tjetrit. Kjo është ajo që i shtyn njerëzit të thonë se dashuria nuk shkaktohet vetëm nga bukuria fizike. Mungesa e bukurisë fizike nuk nënkupton mungesë dashurie, por ajo që merret parasysh është ngjashmëria mes shpirtrave dhe mes karakteristikave të krijuara në ta. Realiteti i dashurisë është sikurse një pasqyrë në të cilën i dashuri sheh karakteristikat dhe mirësinë në imazhin e atij qe e do. Kështu, në fakt, ai nuk e do dikë pos vetvetes dhe karakteristikave të tij si dhe atë që ka karakteristika të ngjashme. Prej këtu, shpirtrat e pastër dhe të lartë në veçanti i duan karakteristikat e përsosurisë, kështu që gjërat më të dashura për ta janë dijenia, trimëria, dinjiteti, bujaria, butësia, durimi dhe qëndrueshmëria. Sepse këto karakteristika janë në pajtueshmëri me thelbin e këtyre shpirtrave, ndryshe nga shpirtrat e ulët dhe të ligj, të cilët janë larg nga dashja e këtyre karakteristikave.

Shumë njerëz janë të motivuar të jenë bujarë dhe të mirë, për shkak të dashurisë së skajshme që kanë ndaj këtyre karakteristikave dhe kënaqësisë që gjejnë në bërjen e tyre, deri në atë masë, saqë el-Me’mun tha: “Falja më është bërë aq e dashur, saqë po kam frikë se s’do të shpërblehem për të”. Dhe i qe thënë Imam Ahmedit: ”A e ke kërkuar këtë dije për hir të Allahut?” Ai u përgjigj: “Bërja e gjërave për hir të Allahut është shumë e rrallë, por mua kjo më është bërë e dashur, kështu që e kam bërë”. Dikush tjetër ka thënë: “I gëzohem dhënies dhe kënaqem në këtë shumë më shumë sesa ai që e merr atë që unë i jap”.

Sa i përket atyre që e duan dijen, dashuria e tyre është shumë më e madhe sesa dashuria e kujtdo tjetër apo ndaj çfarëdo tjetër. Shumë prej tyre nuk shmangen nga ajo [dija] as nga imazhet më të hijshme njerëzore. Hoxha ynë, Ibn Tejmije, më tha: “U sëmura dhe mjeku më tha: ’Leximi yt dhe diskutimi i çështjeve të dijes po ta rëndon sëmundjen’. I thashë: ’Nuk mund të largohem nga kjo, dhe këtë do ta trajtoj bazuar në dijen tuaj (mjekësore). A nuk është e vërtetë që, kur një shpirt ndien gëzim, kjo e i jep forcë trupit dhe e largon sëmundjen?’ Ai tha: ’Po’. Thashë: ’Atëherë, shpirti im ndjehet i lumtur me dije, kështu që edhe trupi im forcohet më shumë dhe kjo më ndihmon ta marrë veten.’ Ai tha: ’Kjo s’është pjesë e trajtimit tonë’. Nëse marrëdhënia dashurore bazohet në ngjashmëri dhe në harmoni, ajo do të përforcohet dhe kurrgjë s’do ta largojë atë, përveç diçka që është më e fortë se shkaku i saj. Nëse ajo nuk bazohet në ngjashmëri dhe në harmoni, ajo s’është gjë tjetër veçse dashuri për një arsye, e cila do të zhduket atëherë kur kjo arsye të zhduket. Imam Ahmed ibn Hanbel transmetoi në Musnedin e tij hadithin e Aishes r.a.: “Një grua shkonte te Kurejshët dhe i bënte ata të qeshnin. Kur erdhi në Medine, ajo rrinte me një grua e cila, po ashtu, i bënte njerëzit të qeshnin. Pejgamberi ﷺ tha: ’Me kë po rri Filanja?’ Ajo tha: ’Me Filanen që i bën njerëzit të qeshin’. Ai tha: ’Shpirtrat janë si ushtarët e rekrutuar: ata që i njohin, kalojnë mirë me ta; ata që s’i njohin, nuk kalojnë mirë me ta’”. Versioni origjinal i këtij hadithi është në el- Sahih. Nëse i shikon krijesat, vështirë që do të gjesh dy njerëz që e duan shoqi-shoqin e të mos kenë ngjashmëri mes tyre apo të kenë vepra në ngjashme, karakteristika a synime. Nëse synimet, karakteristikat, veprat apo mënyrat dallojnë, mund të ketë vetëm mospëlqim dhe largim mes zemrave të tyre. Mjafton të përmendet hadithi i vërtetë nga i Dërguari i Allahut ﷺ: “Besimtarët në mëshirën e shoqishoqme, në dashuri e në dhembshuri janë si një trup. Nëse një pjesë ndjen dhimbje, pjesa tjetër e trupit rri zgjuar dhe pëson ethe.”

~Përkthim