Pyetja:

Allahu thotë në Kuran: ʺBeduinët thonë: ʹBesojmëʹ. Thuaj: ʹNuk keni besuar, por thoni: Jemi dorëzuar (në Islam).ʺ (Huxhurat, 14). Cila është domethënia e këtij ajeti dhe a ka dallim mes Imanit dhe Islamit?

***

Përgjigjja:

Feja ka tre nivele:

I pari është Islami, më lart së kjo është Imani dhe më lart është së kjo është Ihsani, siç qëndron në hadithin e Xhibrilit, alejhi selam, kur e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth këtyre niveleve dhe Pejgamberi iu përgjigj për secilën nga këto. Dhe, në fund Pejgamberi ﷺ, u tha shoqëruesve të vet: ʺKy qe Xhibrili. Erdhi tʹjua mësojë fenë tuajʺ. [1]
Ai filloi duke përmendur nivelin më të ulët, pastaj atë që është më lart, pastaj tjetrin që është më lart. Kështu, kur beduinët erdhën te Pejgamberi ﷺ gjatë fazës së hershme të hyrjes së tyre në Islam, ata pohuan për vete një nivel, të cilin nuk e kishin mbërri ende. Ata erdhën si muslimanë, por pohuan të kishin nivelin e Imanit, që ishte një nivel ende i paarritshëm për ta. Kështu, Allahu i kundërshtoi me thënien e vet: ʺBeduinët thonë: ʹBesojmëʹ. Thuaj: ʹNuk keni besuar, por thoni: Jemi dorëzuar (në Islam)ʹ, se besimi (Imani) ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja.ʺ (Huxhurat: 14)
Pra, në fazat e hershme të çështjes së tyre, imani nuk kishte zënë vend në zemrat e tyre, dhe, edhe nëse kanë patur iman, ka qenë i pakët. Mund të shihet nga thënia e Tij ʺbesimi (imani) ende nuk ka hyrë në zemrat tuajaʺ se imani do të hynte (në zemrat e tyre) në të ardhmen dhe se ata nuk ishin mosbesimtarë apo hipokritë, por ishin muslimanë dhe kishin diçka nga Imani, që ishte aq i pakët, saqë nuk e meritonin të quheshin muʹminuun. Mirëpo, Imani do të zinte vend në zemrat e tyre në të ardhmen. Kur Islami dhe imani përmenden së bashku, domethënia e tyre dallon dhe secili ka domethënie të veçantë, siç qëndron në hadithin e Xhibrilit. Ai e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth islamit dhe ai u përgjigj: ʺIslam është që të dëshmosh se askush nuk e meriton adhurimin, përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij; ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh ramazanin, dhe ta bësh haxhin te Shtëpia e Shenjtë, nëse ke mundësi për këtëʺ. Dhe ai e pyeti atë ﷺ rreth Imanit, kështu që ai u përgjigj: ʺEl‐Iman është që të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit, dhe të besosh në paracaktimin hyjnor, të mirën dhe të keqen e tijʺ. [2]

Pra, bazuar në këtë, Islami është bindje së jashtmi, kurse Imani është bindje së brendshmi, dhe kjo, kur përmenden së bashku. Për sa i përket rastit kur Islami apo Imani përmenden ndaras, atëherë secili mbart domethënien e tjetrit. Kur përmendet vetëm Islami, Imani hyn në të, dhe, kur përmendet vetëm Imani, atëherë Islami hyn në të. Për shkak të kësaj, dijetarët thonë: ʺKur të përmenden së bashku, ata dallojnë në domethënien e tyre, kurse, kur të përmenden ndaras, e kanë domethënien e njëjtëʺ. Pra, Imani, sipas Pasuesve të Sunetit dhe Xhematit, është fjalë gjuhe, vepër gjymtyrësh dhe vërtetim me zemër. Ky përcaktim përfshin Islamin, i cili, po ashtu, është fjalë gjuhe, vepër gjymtyrësh dhe vërtetim me zemër.

Shejh Salih bin Feuzan, “Mexhmu Fetaua”

——————————–

[1] Buhariu nr. 50 dhe Muslimi nr. 8

[2] Buhariu nr. 50 dhe Muslimi nr. 8