Shënon Buhariu në Sahihun e tij, në kapitullin e lutjeve nga Ibn Abasi (radijAllahu anhuma) se kur Pejgamberi ﷺ gjendej në vështirësi thoshte:
((لَا إِلَهَ إِلَّا الله الْعَظِيمُ الْحَلِيمُ، لَا إِلَهَ إِلَّا الله رَبُّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ، لَا إِلَهَ إِلَّا الله رَبُّ السَّمَاوَاتِ وَرَبُّ الْأَرْضِ وَرَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ))
La Ilahe il-lAllahul-’Adhimul-Halim, la Ilahe il-lAllahu Rabbul-’Arshil-’Adhim, la Ilahe il-lAllahu Rabbus-semavati ve Rabbul-erdi ve Rabbul-’Arshil-kerim. Që në përkthim në gjuhën shqipe d.t.th: S’ka të Zot të vërtetë përpos Allahut të Madhëruar e të Butë. S’ka të Zot të vërtetë përpos Allahut, Zotit të Arshit të madhërishëm. S’ka të Zot të vërtetë përpos Allahut, Zotit të qiejve dhe të tokës dhe Zotit të Arshit fisnik.
Disa prej dijetarëve të hadithit thonë: “Ky hadith është hadithi më i saktë lidhur me lutjet e vështirësive.”
Analiza e fjalëpërfjalshme e hadithit/lutjes:
La Ilahe il-lAllah (S’ka të Zot të vërtetë përpos Allahut) – Dëshmia e njëshmërisë dhe varësisë absolute të njeriut ndaj Allahut.
El-Adhim (I Madhëruar) – Emër prej emrave të bukur të Allahut që aludon në madhërinë dhe mundësitë absolute të Allahut.
El-Halim (I Butë) – Prej emrave të Tij që aludojnë në butësinë e Allahut ndaj krijesave, si dhe për mëshirën e përsosur të Tij ndaj tyre.
Andaj nëse analizojmë këtë lutje do të gjejmë këtë renditje në të:
- Lutja e Allahut me njëshmërinë e Tij dhe pastaj përmendim një ndër emrat më madhështor të Tij, El-Adhim, I Madhëruar në qenien e Tij, në cilësitë dhe veprimet e Tija.
- Cekim njëshmërinë e Allahut (La Ilahe il-lAllahu), ku pastaj përmendim një ndër krijesat më të mëdha të padukshme të Allahut, Arshin.
- Cekim njëshmërinë e Allahut (La Ilahe il-lAllahu) dhe pastaj përmendim një ndër krijesat më të mëdha të dukshme të Allahut, Tokën dhe qiejt, madhështia e së cilave dëshmon për madhështinë dhe mundësitë absolute të Krijuesit të tyre.
Si rrjedhojë, kushdo që është i sprovuar, në vështirësi, pikëllim, krizë apo në situatë ku nuk sheh rrugëdalje, duhet të mos thellohet në mendime rreth madhështisë së sprovës dh vështirësisë në të cilën është gjetur, sepse thellimi dhe mendimi i vazhdueshëm në këto gjëra e bëjnë njeriun të harrojë madhështinë e Allahut, si dhe madhështinë e asaj që ka krijuar Allahu. Madje, çdo gjë që ndodh, ndodh me leje prej Tij dhe nuk ndryshon kjo gjendje pa leje prej Tij.
Për këtë, duhet që besimtari t’ia përkujtojë vetes së Tij se çdo vështirësi dhe çdo sprovë është më e vogël se krijesat madhështore të Allahut, e mos flasim të krahasohen ato me Allahun e Madhëruar. Të ketë mendim të mirë për Zotin e tij të Madhëruar, thotë ibn Mesudi r.a: “Betohem në Atë, pos së cilit nuk ka Zot të vërtetë; Çdo robi që ka mendim të mirë për Allahun, Allahu ia realizon atë mendim.”
/Përgatiti: Ali Ashani / rizgjimi/