Leximi i Kuranit gjatë natës është më i mirë, sepse gjatë natës zemra është më e përqendruar, më larg shpërqendruesve dhe preokupimeve për të mbushur nevoja të ndryshme. Gjithashtu, është më larg syfaqësisë dhe hipokrizisë apo të tilla lloje ndjenjash, të cilat i prishin punët. Përveç kësaj, dihet mirë nga ana fetare se gjatë natës ka mirësi të shumta. Kështu ka thënë Neveviu. Gjithashtu, namazi i natës është më i mirë. Në hadith transmetohet se: “Në leximin gjatë fundit të natës prezantojnë melekët, prandaj dhe është më i mirë.” Transmeton Imam Muslimi. Nëse dikush thotë: “Në lidhje me këtë, a ka ndonjë ndryshim Ramazani nga kohët e tjera?” Është e mundur që të ketë dallim mes tyre, sepse në ditët e Ramazanit ka mirësi të shumta. Mjafton të përmendet se gjatë ditës së Ramazanit besimtari është agjërueshëm. Por dikush mund të thotë që edhe në netët e Ramazanit ka mirësi shtesë, sepse gjatë natës kryhet adhurimi i faljes së namazit dhe taravisë. Gjithashtu, mund të thuhet se ishte pikërisht kjo koha kur Xhibrili (a.s.) studionte Kuranin së bashku me Profetin (a.s.). Por dikush mund të thotë se gjykimi në lidhje me këtë çështje jepet në varësi të gjendjes së adhuruesit.

Burimi: “Furnizimi i lexuesit të Kuranit” / Nga Fehd Ibn Jahja el Umeri