Pyetja:
Cila është mënyra më e mirë për një musliman që të arrijë shkallën më të lartë të edukimit islam? Në çfarë shkolle duhet të shkojë për të arritur shkallën e një dijetari musliman?
***
Përgjigja:
Fillimisht na gëzon interesimi juaj për të fituar edukim Islam, kurse sa i përket se çfarë shkolle duhet të ndjekësh për të arritur dije islame, themi se nga ju kërkohet, sikurse në çdo lëmi tjetër, të pasoni vijimin e shkollës në formë akademike nga e mesmja, fakulteti, magjistratura, etj. Kjo është forma bashkëkohore për zgjerimin e njohurive islame dhe çelës kryesor në tërë këtë është edhe mësimi i gjuhës arabe, pa të cilën nuk është e mundur arritja e dijës së gjerë islame. Prandaj, themi se nëse dëshiron njeriu të arrijë dije të gjerë në shkencat islame, duhet të udhëtojë në vendet arabe, ta mësojë gjuhën, pastaj të vazhdojë studimet atje.
Në kohët e mëhershme ka qenë e njohur edhe metodologjia tjetër jo akademike, pra që marrjen e diturisë ta bësh duke shkuar te dijetarët për të mësuar nga ata nëpër vendet e ndryshme të botës islame, por duke i paraprirë kësaj, mësimin e Kuranit dhe shkencave shërbyese (gramatika, letërsia, etj) dhe më vonë për t’u thelluar në shkencat e tjera islame.
Në kohën tonë, ka shumë nga kërkuesit e dijes, bile edhe të njohur në botën islame që kanë arritur të bashkojnë ndërmjet metodologjisë së re dhe të vjetër. Dhe kjo do të ishte më e suksesshmja dhe më e mira. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi