Pyetja:
Cila është norma e leximit të fatihasë në namazet farz kur falemi me imam?
Përgjigja:
Leximi i fatihasë në namaz është shtyllë (rukn) e namazit.
Përkitazi me me’mumin (xhematlinjtë), dijetarët kanë mendime të ndara sa i përket leximit të saj në të gjitha rekatet.
Disa kanë thënë se duhet lexuar në të gjitha rekatet, edhe atëherë kur imami lexon me zë. Argument kanë hadithin: “Nuk ka namaz ai që nuk e lexon kaptinën fatiha!”
Ndërsa të tjerë kanë thënë se, duke iu referuar ajetit 204 nga kaptina A’rafë dhe disa teksteve [haditheve] tjera, kur Imami lexon, leximi i tij konsiderohet dhe lexim për xhematin (me’mumin).
Disa dijetarë kanë bërë një bashkim të këtyre argumenteve dhe kanë thënë: Kur Imami lexon me zë, xhemati heshtin dhe dëgjojnë, ndërsa në rastet tjera, respektivisht rekatet pa zë dhe namazet në të cilat fare nuk lexohet me zë (dreka dhe ikindia), për shkak të hadithit të sipërpërmendur (“Nuk ka namaz ai që nuk e lexon kaptinën fatiha!”), xhemati (me’mumi) e lexon fatihanë.
Pra, “kur Imami lexon me zë, dëgjoje me vëmendje, ndërsa kur nuk lexon me zë, lexoje vetëm fatihanë!”
Allahu e di më së miri!
/Hoxhë Dr Sedat Islami/




