Pyetja:
A mund të tregoni sa gra ka pasur Profeti ynë Muhamedi ﷺ, emrat dhe referencën e tyre nga Suneti?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut.
Gratë e Profetit
I Dërguari i Allahut ﷺ u martua me këto gra:
- Hatixhe bint Huvejlid
Hatixhe bint Huvejlid (Allahu qoftë i kënaqur me të) ishte gruaja e parë e Profetit ﷺ. Profeti ﷺ u martua me të kur ai ishte njëzet e pesë vjeç dhe ai nuk mori grua tjetër vetëm pasi ajo vdiq. Ajo i lindi gjithë fëmijët e Profetit ﷺ, përveç Ibrahimit.Buhariu titulloi një kapitull në Sahihun e tij: “Martesa e Profetit ﷺ me Hatixhen (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe virtytet e saj”, në të cilën ai transmetoi një hadith nga Aishja e cila ka thënë: “Kurrë nuk kam ndier xheloz për asnjërën nga gratë e Profetit ﷺ siç bëra për Hatixhen, edhe pse ajo vdiq para se ai të martohej me mua, për shkak të asaj që e dëgjova të thoshte për të.” [1] - Seudah bint Zam’ah ibn Kajs
Profeti ﷺ u martua me Seudah bint Zam’ah ibn Kajs (Allahu qoftë i kënaqur me të) në vitin e dhjetë të profetësisë së tij. [2] - Aishja bint Ebu Bekr Es-Sidik
Profeti ﷺ u martua me Aishe bint Ebu Bekr Es-Sidik (Allahu qoftë i kënaqur me të) në Sheval të vitit të dhjetë të profetësisë. [3]
Ajo vetë tha: “Pejgamberi ﷺ u martua me mua kur isha gjashtë vjeç dhe e konsumoi martesën me mua kur isha nëntë”. [4] Gjithashtu Buhariu ka transmetuar se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk u martua me asnjë virgjëreshë përveç saj. [5] - Hafsah bint ‘Umer
Transmetohet nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) se burri i Hafsës, Hunejs ibn Hudhafe, i cili ishte një nga sahabët e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe kishte qenë i pranishëm në Bedr, pastaj u sëmur dhe vdiq në Medine. Umer ibn Hattabi tha: E takova Uthman ibn Affanin dhe i ofrova Hafsën për martesë. I thashë: “Nëse dëshiron, do ta martoj me ty Hafsa bint ‘Umerin.” Ai tha: “Unë do të mendoj për këtë.” Kaluan disa netë, pastaj tha: “Unë mendoj se nuk dua të martohem në këtë kohë.” Omeri tha: Pastaj takova Ebu Bekrin dhe i thashë: “Nëse dëshiron, do ta martoj me ty Hafsa bint Umerin.” Ebu Bekri heshti dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. Isha më i mërzitur për të sesa për Uthmanin. Kaluan disa netë, pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ i propozoi asaj dhe unë e martova me të. Pastaj më takoi Ebu Bekri dhe më tha: “Ndoshta je mërzitur kur më ofrove Hafsën për martesë dhe unë nuk u përgjigja?” Unë thashë: “Po.” Ai tha: “Asgjë nuk më pengoi që t’i përgjigjem ofertës suaj, përveç faktit që e dija se i Dërguari i Allahut ﷺ e kishte përmendur atë dhe nuk doja të zbuloja sekretin e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Nëse ai do të kishte vendosur të mos martohej me të, do ta kisha pranuar ofertën tuaj. [6] - Zejneb bint Huzejme
Titulli i saj gjatë injorancës ishte ‘Nëna e të varfërve’, një titull që e mori për shkak të përpjekjes së palodhshme për t’i ushqyer të varfrit. Profeti ﷺ u martua me Zejneb bint Huzejme (Allahu qoftë i kënaqur me të) në Ramazan, tridhjetë e një muaj pas hixhretit. [7] - Ummu Seleme bint Ebu Umeje
Muslimi transmeton se Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Nuk ka asnjë njeri që përballet me një fatkeqësi dhe thotë: ‘Vërtet të Allahut jemi dhe me të vërtetë tek Ai do të kthehemi; O Allah, më shpërble në këtë fatkeqësi dhe më kompenso me diçka më të mirë se ajo.’ por Allahu do ta shpërblejë atë në fatkeqësinë e tij dhe do ta kompensojë me diçka më të mirë se ajo.” Ajo tha: Kur vdiq Ebu Seleme, thashë atë që më kishte urdhëruar i Dërguari i Allahut ﷺ dhe Allahu më kompensoi me dikë më të mirë se ai, të Dërguarin e Allahut ﷺ.
[8]
Sipas një transmetimi tjetër: “Kur vdiq Ebu Seleme, thashë: ‘Kush është më i mirë se Ebu Seleme, sahabi i të Dërguarit të Allahut ﷺ?’ Por Allahu ka vendosur që unë ta them atë. Pastaj u martova me të Dërguarin e Allahut ﷺ.” - Xhuvejrije bint el-Harith
Xhuvejrijja bint el-Harith (Allahu qoftë i kënaqur me të) ra rob i muslimanëve gjatë betejës së Benu’Mustalakut dhe ajo shkoi te Profeti ﷺ për t’i kërkuar që ta ndihmonte, për të dorëzuar veten dhe për të blerë lirinë e saj. Ai i ofroi t’i paguante lirinë dhe të martohej me të, dhe ajo pranoi. Pejgamberi ﷺ u martua me të dhe e bëri lirimin e saj si prikë. Kur njerëzit e morën vesh këtë, ata i liruan të burgosurit e tyre, për të nderuar vjehrrit e të Dërguarit ﷺ. Asnjë grua nuk i solli popullit të saj bekim më të madh sesa ajo. [9] - Zejneb bint Xhahsh
Në lidhje me Zejneb bint Xhahsh (Allahu qoftë i kënaqur me të) Allahu i shpalli fjalët: “Pra, kur Zejdi e plotësoi dëshirën e tij prej saj (dmth., e divorcoi), Ne ta dhamë atë për martesë, në mënyrë që (në të ardhmen) të mos ketë vështirësi për besimtarët në lidhje me (martesën e) grave të tyre. Djemtë e birësuar kur këta të fundit nuk kanë dëshirë t’i mbajnë (dmth i kanë divorcuar).” (Ahzab: 37)Ajo mburrej për këtë te gratë e tjera të Profetit ﷺ duke thënë: “Familjet tuaja i rregulluan martesat tuaja, por Allahu e rregulloi martesën time nga shtatë qiejt”. [10] - Ummu Habibah bint Ebu Sufjan
Ebu Davudi transmeton nga ‘Urwah nga Ummu Habibe (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ajo ishte e martuar me ‘Ubejdullah ibn Xhashin, i cili vdiq në Abisini. Pastaj Negusi e martoi atë me Profetin ﷺ dhe i dha asaj një mehër prej katër mijë në emër të tij dhe e dërgoi te i Dërguari i Allahut ﷺ me Shurabil Ibn Hasan. [11] - Mejmuna bint Harith
Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti ﷺ u martua me Mejmunen kur ai ishte në ihram.[12] Fjalët “kur ishte në ihram” janë gabim. Në fakt, Profeti ﷺ u martua me të pasi ai doli nga ihrami pas ‘Umrat el-Kada’. [13] - Safije bint Hujej ibn Ahtab
I Dërguari i Allahut ﷺ e la të lirë Safije bint Hujej ibn Akhtab (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe u martua me të pas betejës së Hajberit. [14] Këto janë gratë e Profetit ﷺ me të cilat ai përfundoi martesën. Dy prej tyre vdiqën gjatë jetës së Profetit ﷺ, përkatësisht Hatixheja dhe Zejneb bint Huzejme (Allahu qoftë i kënaqur me të dyja). I Dërguari i Allahut ﷺ la pas nëntë gra kur vdiq; nuk ka dallime të mendimeve të dijetarëve për këtë çështje. (Shih Zad al-Ma’ad, 1/105-114) Thuhej se Rejhan bint ‘Amr el-Nadarijeh (ose el-Kurazijeh) ishte gjithashtu një nga gratë e tij. Ajo u zu rob gjatë betejës së Beni Kurejzes, dhe i Dërguari i Allahut ﷺ (e zgjodhi atë për vete dhe u martua me të, pastaj u divorcua nga ajo dhe e mori përsëri. (Tabakat Ibn Sa’d, duke transmetuar nga el-Vakidi, 8/130) Dhe thuhej se ishte konkubinë. Kjo u konsiderua si më e mundshme nga Ibn al-Kajjim në Zad al-Ma’ad. Dhe Allahu e di më së miri.
————————————————-
[1] Buhariu, 3815.
[2] Tabakat Ibn Sa’d, duke transmetuar nga El-Vakidi, 8/52-53; Ibn Kethiri në el-Bidaje uel-Nihajeh, 3/149.
[3] Ibn Sa’d, 8/58-59.
[4] Buhariu, 3894; Muslimi, 1422.
[5] Buhariu, 5077.
[6] Buhariu, 4005.
[7] Tabakat Ibn Sa’d, 8/115.
[8] Muslimi, 918.
[9] Transmetohet nga Ibn Is’haku me një isnad Hasen. Sirat Ibn Hisham, 3/408-409.
[10] Buhariu, 7420.
[11] Ebu Davudi, 2107. Klasifikuar si sahih nga Shejh Albani.
[12] Buhariu, 1832; Muslimi, 1410.
[13] “Zad el-Ma’ad”, 1/113; Feth el-Bari, hadithi nr. 5114.
[14] Buhariu, 371.