Pyetja:

Dua të di se cilat janë ajetet e fundit që i kanë zbrit Pejgamberit alejhi selem nëse ka mundësi dhe të na argumentoni këtë përgjigje.

***

Përgjigjja:

Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me ajetin apo ajetet e fundit të Kuranit, që i kanë zbritur të dërguarit Muhamed, ﷺ . Në vijim po i përmendi disa mendime dhe më pastaj do të përmendim mendimin më të fuqishëm mbi ajetin e fundit të zbritur.

  • Fjala e Allahut: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Maide, 3)
    Duke qenë ky ajet përmbyllës i mesazhit hyjnor, shumë menduan se ky ajet është i fundit që u zbrit. Mirëpo realiteti është se ky ajet zbriti derisa i Dërguari ﷺ ishte në haxhillëkun lamtumirës, ku më pas u kthye në Medinë dhe prapë zbritën ajete të tjera. Por mund të thuhet se ky ajet përmbylli anën ligjore, rituale dhe të tjera të Islamit. Ajetet që zbritën më vonë nuk sollën diç të re në këto fusha.
  • Fjala e Allahut:“O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”  (El-Bekare, 278) [1]
  • Fjala e Allahut: “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Bekare, 281) [2]
  1. Fjala e Allahut për rregullat e borxhit: “O besimtarë! Shkruajeni huan që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush; asnjë shkrues të mos ngurrojë që ta shënojë ashtu siç e ka mësuar Allahu…”  (El-Bekare, 282) njëherit ky është ajeti më i gjatë në Kur’an.

Sujutiu mendon se këto tri ajete kanë zbritur të gjitha përnjëherë pasi edhe përmbajtja e tyre është e përafërt dhe radhitja e tyre është ashtu siç janë të radhitura këto ajete në Mus-haf. Andaj, thotë ai, ekzistojnë mendime të ndryshme nga sahabët se cili është i fundit që zbriti, duke transmetuar secili atë që në fund ka dëgjuar.

 

  1. Fjala e Allahut lidhur me trashëgiminë: “Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjykim (për dikë që vdes pa pasur trashëgimtarë). Thuaju: “Allahu ju udhëzon juve për një njeri të tillë. Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë (dhe prindër), ndërkohë që ka një motër, atëherë asaj i takon gjysma e trashëgimisë. Në qoftë se një grua vdes pa pasur fëmijë (dhe prindër), atëherë vëllai i saj është i vetmi që do ta trashëgojë. Në qoftë se një burrë pa fëmijë (dhe prindër) ka dy motra, atëherë ato do të trashëgojnë dy të tretat e pasurisë; por, nëse ai ka edhe vëllezër edhe motra, atëherë mashkullit i takon trashëgim sa pjesa e dy femrave. Kështu Allahu ju sqaron juve, në mënyrë që të mos humbisni. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (En-Nisa’, 176) [3]
  2. Fjala e Allahut: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Et-Tevbe, 128) [4]

 Ekzistojnë edhe mendime të tjera, por këto janë më të rëndësishmet. Tani mbetet të dimë mendimin më të saktë ndër këto mendime që u përmenden më lartë. Për mendimin e gjashtë, dijetarët thonë se është e vërtetë që është ajeti i fundit i zbritur, por nga sureja Et-Teube, e cila u zbrit gjatë vitit të nëntë të hixhretit. Kjo nuk nënkupton se është ajeti i fundit nga i tërë Kurani.

Për mendimin e pestë thonë po ashtu është e vërtetë se është ajeti i fundit i zbritur lidhur me trashëgiminë, por jo që trashëgimia është tema e fundit e trajtuar nga ana e Allahut.
Për mendimi e parë, siç u theksua, është ajeti i fundit që përmbyllë legjislativin e Islamit, por zbritën ajete të tjera edhe pasi i Dërguari, ﷺ, u kthye në Medinë prej haxhillëkut.
Për mendimin e dytë dhe të katërt, e po ashtu edhe për atë të pestin, do të ishte kundërthënëse të kishin zbritur ato ajete të fundit me ajetin e mendimit të parë që përmbylli legjislacionin, pasi ajetet e këtyre tre mendimeve përmbajnë rregulla ligjore lidhur me kamatën, huamarrjen dhe trashëgiminë. Pra nuk zbritën më vonë, sepse del se Allahu e paska thënë ajetin përmbyllës përpara se të kompletohej i gjithë legjislacioni.
Duke shikuar porosinë në formë amaneti dhe duke qenë se përmbajtja e ajetit nuk përfshinë ndonjë rregull të re, mbetet se mendimi më i saktë lidhur me ajetin e fundit të ubritur nga Kurani është mendimi i tretë dhe ajeti:

“Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Bekare, 281) 

Në fund, pasi shtjelluam këtë çështje në mënyrë mjaft të detalizuar, dua ta theksoj një fakt të rëndësishëm. Tema në fjalë, elhamdulilah, nuk ka të bëjë me ndonjë dispozitë me peshë si rrjedhë e dijes apo mosdijes se cili ajet ka zbritur i fundit, andaj të merremi me gjëra më primare, për të cilat kemi nevojë dhe dija lidhur me to ndihmon në kryerjen e obligimeve tona karshi Allahut, shoqërisë dhe vetvetes.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

———————

[1] Argument për të është atë që transmetoi Buhariu nga Ibën Abbasi.

[2] Argument për këtë është transmetimi i Nesaiut nga Ibën Abbasi se i Dërguari ﷺ, ka jetuar edhe nëntë net pas zbritjes së këtij ajeti dhe ka vdekur.

[3] Duke transmetuar këtë Buhariu dhe Muslimi nga Berra’ Ibën Azib.

[4] Argument për këtë është transmetimi i Hakimit nga Ubejj Ibën Ka’bi.