Pyetja:
I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: “Umeti im do të ndahet në 70 e ca grupe dhe vetëm një grup do të shpëtojë. Cilat janë cilësitë e atij grupi që do të shpëtojë (nëse mund t’i përmendni sa më shumë cilësi të atij grupi) dhe nëse ekziston, vepron sot ai grupi i shpëtuar.
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Më pastaj: Ky emër, grupi i shpëtuar (el firkatun naxhijeh), është marrë nga kuptimi i hadithit të përçarjes së umetit në 73 grupe, të cilat do të përfundojnë të gjitha në zjarr, përveç një grupi që do të shpëtojë. Për këtë arsye, grupi që Pejgamberi alejhi selam ka lajmëruar se do të shpëtojë ka marrë emrin “grupi i shpëtuar”.
Dijetari i njohur Ibën Tejmijeh ka thënë: “Përderisa grupi i shpëtuar është cilësuar se janë pasuesit e sahabëve që shoqëruan Pejgamberin ﷺ dhe kjo gjë është simboli dhe rruga e Ehli Sunetit, atëherë ata janë grupi i shpëtuar.”
Megjithëse cilësitë e grupit të shpëtuar janë të shumta, në vijim do të cekim disa prej tyre:
-Grupi i shpëtuar janë dijetarët e hadithit (ata që e marrin metodën e tyre si mënyrë jetese), për të cilët Pejgamberi ﷺ thotë: “Do të vazhdojnë (mbeten) një grup nga umeti im, të përqendruar në të vërtetën, nuk do t’u bëjnë dëm atyre ata që do të mundohen t’i frikësojnë (kthejnë nga kjo rrugë), derisa të vijë urdhri i Allahut.”
-Grupi i shpëtuar është ai që i përmbahet rrugës (metodës) së Pejgamberi ﷺ gjatë jetës së tij dhe rrugës së sahabëve (shokëve të tij), e ky është Kurani Famëlartë, që i ka zbritur Pejgamberi ﷺ, të cilin ua ka sqaruar sahabëve të tij me hadithe të vërteta, i ka urdhëruar muslimanët të kapen pas tyre e thotë:
“Ua kam lënë dy gjëra, pas tyre nuk do të humbni: Libri i Allahut (Kurani) dhe Suneti im.” (Hadith sahih)
-Grupi i shpëtuar në zënkat dhe mosmarrëveshjet e tyre i kthehet fjalës së Allahut dhe fjalës së Pejgamberit ﷺ.
Grupi i shpëtuar nuk i jep përparësi fjalës së askujt para fjalës së Allahut dhe të Pejgamberit ﷺ.
-Grupi i shpëtuar i thërret muslimanët që të kapen pas Sunetit të Pejgamberit ﷺ dhe sahabëve të tij nëse dëshirojnë t’u realizohet fitorja dhe nëse dëshirojnë të hyjnë në xhenet me begatinë e Allahut dhe shefaatin (ndërmjetësimin) e Pejgamberit ﷺ.
-Grupi i shpëtuar urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja.
-Grupi i shpëtuar e konsideron teuhidin (njëshmërinë e Zotit) në këtë fomrë: që të veçohet Allahu në adhurim (ibadet), lutje, të kërkohet ndihmë nga Ai në fatkeqësi dhe rehati, të theret kurban vetëm për Të, të betohemi vetëm në emër të Tij, të gjykojmë me atë që ka zbritur Ai dhe lloje të tjera adhurimesh.
-Grupi i shpëtuar i ngjall sunetet e Pejgamberit ﷺ në ibadetin e tyre, në jetën dhe sjelljen e tyre dhe nga ky shkak këta u bënë të huaj e të vetmuar në mesin e popullit të tyre, për të cilën ka paralajmëruar duke thënë: “Me të vërtetë Islami ka filluar si i huaj (me pak njerëz) dhe do të kthehet si i huaj (me pak njerëz) siç ka filluar, e për këtë pakicë qoftë xheneti.”
Simbolet e grupit të shpëtuar
Grupi i shpëtuar janë pakicë midis njerëzve, kurse për ta (për këtë pakicë) ka bërë dua i Dërguari i Allahut ﷺ duke thënë: “Për këta të huaj (pakicë) qoftë xhenneti. Njerëz të mirë në bashkësi të njerëzve të këqij, ata që nuk i respektojnë janë më tepër se ata që i respektojnë.” [1]
Gjithashtu na lajmëron Kurani dhe thotë duke i lavdëruar: “…nga robërit e Mi, pak janë mirënjohës.” (Sebe: 13)
Me grupin e shpëtuar armiqësohen shumë njerëz, shpifin për ta dhe i emërojnë me emra të ndryshëm, kurse ata kanë shembull Pejgamberi ﷺ dhe ata për të cilët flet Allahu:
“Dhe kështu (sikurse edhe ty) çdo Pejgamberi i bëmë armiq disa nga njerëzit dhe nga xhinët e djallëzuar, që me fjalë të shkëlqyeshme në mënyrë të fshehtë nxit njëri-tjetrin në mashtrime.” (En’am: 112)
Njerëzit edhe për Pejgamberi ﷺ kanë thënë “magjistar, gënjeshtar” kur filloi t’i thërrasë në teuhid, kurse para kësaj e thërrisnin “i sinqertë, besnik”.
Shejh AbdulAziz bin Bazi tha: “Ata janë selefitë dhe çdokush që ecën në rrugën e të parëve tanë të mirë (selefus-salih), Pejgamberit ﷺ dhe shokëve të tij.”
Shejh Ibn Uthejmini ka thënë: “Prej veçorive më të shfaqura te grupi i shpëtuar është të kapurit pas asaj në të cilën kanë qenë Pejgamberi ﷺ, si: në akide, adhurim (ibadet), moral dhe në të sjellurit me të tjerët. Këto katër gjëra i gjen te grupi shpëtuar si më karakteristike…”
Eroll Rexhepi
——————————
[1] Ahmedi