Prijësi i besimtarëve Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, dërgoi një ushtri nën udhëheqjen e Sa’d ibën ebi Uekasit për të çliruar tokat perse, dhe i shkroi një letër e cila përmbante këto porosi:

1- Frika ndaj Allahut. Të urdhëroj ty dhe të gjithë ushtarët që janë me ty që të keni frikë Allahun në çdo situatë, sepse frika ndaj Allahut është përgatitja ushtarake më e mirë kundër armikut dhe strategjia më e fortë në luftë.

2- Braktisja e mëkateve. Të urdhëroj ty dhe ata që janë me ty që të ruheni nga mëkatet më shumë sesa ruheni nga armiku, sepse mëkatet e ushtrisë janë më të frikshme për ta se armiku. Muslimanët e arrijnë fitoren duke kundërshtuar armikun e tyre për hir të Allahut, përndryshe nuk do të kishin asnjë forcë ngase numri ynë është më i pakët se ai i tyre dhe përgatitja jonë luftarake është më e pakët se ajo e tyre. E nëse ne bëhemi baraz me ta në mëkatim atëherë ata kanë epërsinë e forcës mbi ne. Nëse nuk i mboshtim ata me devotshmërinë tonë atëherë nuk do t’i mundim dot me forcën që kemi. Ta dini se me ju në udhëtim janë rojtarët e Allahut të cilët e dinë çka veproni, andaj kini turp prej tyre dhe mos mëkatoni duke qenë në rrugën e Allahut. Mos thoni që; armiku është më i keq se ne andaj nuk na mposht edhe nëse mëkatojmë. Sepse ka pasur shumë popuj të cilët u mposhtën nga njerëz më të këqij se ata, sikurse u mposhtën Beni Israilët nga zjarrputistët e pafe kur mëkatuan dhe sikurse u mposhtën arabët nga hebrejtë!

3- Mbështetja tek Allahu. Lutjuni Allahut t’ju japë fitoren mbi veten tuaj ashtu siç i luteni t’ju japë fitoren mbi armikun tuaj. Allahut ia kërkoj këtë për veten time dhe për ju!

Marrë nga libri: “El bidajeh uen nihajeh”.

Autor: Ibën Kethir

Përktheu: Rexhep Milaqi

/udhaebesimtareve.com/