Pyetja:
Cili është programi që duhet të ndjekë kërkuesi i dijes në fillim të kërkimit?
***
Përgjigja:
Të jetë i sinqertë me Allahun, dhe të ketë qëllim të mirë në kërkimin e diturisë.
Të largohet nga gjynahet.
Të largohet nga pakujdesia.
Kush është afër tij të shikojë tek ai ndryshim (për mirë) pasi t’i ketë hyrë kësaj rruge, nga e cila nuk lejohet kthimi mbrapsht (rruga e kërkimit të dijes). Të shtojë mirësinë sa më shumë që kalon koha. Ai që shton dituri dhe nuk shton udhëzim dhe devotshmëri, le të akuzojë diturinë e tij. Pastaj dituria kërkon kohë, ka nevojë për një mësues dhe para këtyre dhe pas këtyre ka nevojë për sukses (nga Allahu)! Poashtu dituria ka nevojë për memorizim dhe kuptim. Prandaj kur nxënësi i dijes është i vogël duhet të fillojë me dëgjim. Dituria është tekst që shpjegohet (si psh., “Tre Parimet”), dhe mësohet përmendësh. Prandaj nëse ka mundësi të mësojë përmendësh kjo është gjë e mirë.
Gjëja e parë që mësohet përmendësh është libri i Allahut të Lartësuar dhe hadithet që kanë të bëjnë me rregullat fetare, të cilat dëgjohen shpesh nga gojët e njerëzve.
Pas kësaj nxënësi i dijes duhet t’i largohet leximit të librave voluminozë. Që nxënësi i dijes që në fillimet e tij të lexojë “Fet’hul barin” dhe librat me shumë vëllime, kjo është një metodë e gabuar. Nxënësi i dijes duhet të fillojë të mësojë gjërat e përgjithshme. Fillon duke mësuar gjëra të përgjithshme në çdo shkencë, dhe nuk fillon të specializohet. Fillon duke mësuar bazat e çdonjërës prej këtyre shkencave.
Pastaj kërkuesi i dijes përparon nën përkujdesjen e një mësuesi. Patjetër nxënësi i dijes duhet të ketë lidhje me një mësues që i zgjidh problemet që has gjatë kërkimit të dijes. Përndryshe ai mund të rëshkasë. Prandaj kanë thënë: ‘Mos e merr diturinë nga një njeri që është vetëm lexues librash dhe nuk është ulur tek dijetarët’ (nuk ka marrë apo nuk merr dituri prej tyre).”
Shejh Mesh’hur Hasen
Përktheu: Udha e Besimtarëve