Përgjigja:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.


Namazi i Teravisë është nga namazi i natës dhe nuk janë dy namaze të ndryshme siç mendojnë shumë njerëz, por namaz i natës quhet Teravi gjatë Ramazanit.


▣ Pse quhet Teravi?

Në arabisht “ﺘﺮﺍﻭﻳﺢ – teraawiih” do të thotë: “pushime”, që është shumësi i fjalës “terwiiha – një pushim”.
Muslimanët e parë, selefët tanë – Allahu i mëshiroftë –, kur falnin namazin e natës në Ramazan, ata pushonin pas çdo dy ose katër rekateve, për shkak se janë falur gjatë duke e zgjatur leximin e Kuranit, rukunë e sexhden.


▣ Përfitimi nga ky muaj i begatë

Zgjatja e namazit të natës gjatë Ramazanit nga ta ishte për të përfituar nga ky muaj i begatë dhe shpërblimin e përmendur në hadithin e Profetit ﷺ:

«مَنْ قَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ»
Kush fal (namaz nate) në Ramazan me besim dhe shpresë në shpërblim, atij do t’i falen mëkatet e mëparshme”. [Buhariu, 36]


Allahu e di më së miri!

Dr. Adelina Kuçana