Shejhu: Ngrënia, pirja, marrja dhe dhënia e gjërave me dorën e majtë janë të gjitha veprime që bien në kundërshtim me sunetin (traditën profetike). Ngrënia, pirja, marrja dhe dhënia e gjërave duhet të bëhen me dorën e djathtë, kështu është suneti. Përtej kësaj, ngrënia dhe pirja me dorën e majtë janë haram ngase Profeti (paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush të mos hajë me dorën e majtë dhe të mos pijë me dorën e majtë sepse shejtani han dhe pin me dorën e majtë!”

Kësisoj, Profeti (paqja e Allahut qoftë mbi të!) e ka ndaluar një gjë të tillë duke e arsyetuar me faktin se ajo është vepër e shejtanit, gjë e cila e përforcon mosngrënien dhe mospirjen me dorën e majtë. Vallë vëllai musliman, (i cili ka parashtruar pyetjen) çfarë do të zgjedhë të veprojë kur t’i kërkohet të zgjedhë midis ndjekjes së hapave të shejtanit dhe imitimit të tij në grënie e pirje, dhe midis ndjekjes së traditës dhe udhëzimit të Profetit(paqja qoftë mbi të!)?

Dihet se çdo besimtar do të zgjedhë të ndjekë Profetin (paqja qoftë mbi të!) dhe udhëzimet e tij.

Kësisoj, themi se ngrënia dhe pirja me dorën e majtë është haram dhe në bazë të parimit fetar, harami lejohet vetëm në rast domosdoshmërie. Dhe domosdoshmëria në kët rast është kur dora e djathtë është e paralizuar ose e thyer ose e djegur…etj. Pra, kur është e pamundur që të përdoret e djathta për të ngrënë ose për të pirë!

Shejh Uthejmini (Allahu e pastë mëshiruar!)
https://udhaebesimtareve.com/
Përktheu Rexhep Milaqi