Përgjigja: 

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

•Kjo shprehje është një teprim që nuk duhet përdorur dhe nuk lejohet të thuhet, as në poezi e as në ndonjë formë tjetër, sepse mund të nënkuptojë nënvlerësim të dënimit të Allahut, duke e konsideruar atë më të lehtë sesa ndarja me dikë. Ndërkohë, dënimi me zjarr është ndëshkimi më i madh dhe më i tmerrshëm, dhe asgjë nga sprovat e kësaj bote nuk mund ta barazojë atë. Ai e trondit mendjen e njeriut dhe e bën atë të harrojë çdo të mirë dhe lumturi që ka përjetuar më parë.

Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Enesi bin Malik se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Në Ditën e Kiametit, do të sillet personi që ka jetuar jetën më të rehatshme në këtë botë, por është prej banorëve të Xhehenemit, dhe ai do të zhytet një herë në zjarr. Pastaj do t’i thuhet: ‘O bir i Ademit, a ke parë ndonjëherë ndonjë të mirë? A ke përjetuar ndonjëherë ndonjë kënaqësi?’ Ai do të thotë: ‘Jo, për Allahun, o Zoti im!’”
(Transmetuar nga Muslimi)

•Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) shmangnin dëgjimin e poezive që përmbanin kuptime të papranueshme në Islam.

Allahu e di më së miri.

Dr. Adelina Kuçana