Pyetja:
Kam hasur në shumë literatura islame termin Ditët e Teshrikut. A mund të na flisni rreth këtyre ditëve, se cili është kuptimi, koha dhe vlera e tyre, si dhe cila është dispozita e agjërimit të tyre?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Së pari: Kuptimi, koha dhe vlera e Ditëve të Teshrikut
Çështja e parë: Domethënia e Ditëve të Teshrikut
Ekzistojnë dy mendime mbi shkakun e emërtimit të Ditëve të Teshrikut:
Mendimi i parë: Janë quajtur kësisoj sepse në to bëhej TESHRIIǨ-u (shfaqja) në diell e mishit të kurbanëve (bëhej therja, kriposja dhe terja / tharja e tyre);
Mendimi i dytë: Janë quajtur kësisoj pasi namazi i bajramit falet pas TESHRIIǨ-ut (shfaqjes) të diellit, ndaj u quajtën të gjitha Ditë të TESHRIIǨ-ut (shfaqjes së diellit), në pasim të ditës pararendëse (ditës së bajramit).
Çështja e dytë: Koha e Ditëve të Teshrikut
Juristët muslimanë kanë rënë dakord që Ditët e Teshrikut janë tre, porse ata ndajnë mendime të ndryshme nëse dita e bajramit (dita e parë e Kurban Bajramit) është apo jo prej Ditëve të Teshrikut, ku mendimi më parësor është se ditët e Teshrikut janë ditët që vijnë menjëherë pas ditës së (parë të) Kurbanit dhe mbi këtë mendim veprojnë tanimë muslimanët në sezonin e kryerjes së haxhit (pelegrinazhit të madh në Mekë).
Çështja e tretë: Vlera e Ditëve të Teshrikut
Në tekstet kuranore dhe profetike kanë ardhur një sërë vlerash lidhur me Ditët e Teshrikut, prej të cilave janë:
a. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, Ditët e Teshrikut janë pikërisht ditët e caktuara të përmendura në thënien kuranore: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”; (Bekare: 203)
b. Ditët e Teshrikut janë ditë dhikri (përmendje) të Allahut të Lartmadhëruar bazuar në transmetimin profetik: “Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie, pirje dhe përmendje e Allahut”;
Prej kësaj përmendje (sipas mendimit të shumicës së juristëve muslimanë) është tekbiri i kufizuar (ET-TEKBIIRU EL-MUǨAJ-JED) që fillon në mëngjesin e ditës së Arafatit (një ditë para bajramit) deri në ikindinë e ditës së fundit të Ditëve të Teshrikut dhe bëhet pikërisht në përmbylljen e faljes së namazeve farz gjatë këtyre ditëve; tekbiri i pakufizuar (ET-TEKBIIRU EL-MUŤLAǨ) është i pëlqyeshëm në çdo kohë të dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes dhe në Ditët e Teshrikut; përmendja dhe tekbiri gjatë therjes rituale të bagëtive që zgjat deri në fundin e Ditëve të Teshrikut, përmendja gjatë ngrënies dhe pirjes etj.
c. Shumë prej selefëve (dijetarëve të tre gjeneratave të para muslimane dhe dijetarëve eminent pas tyre që ndjekin gjurmët e të parëve) janë të mendimit se në Ditët e Teshrikut është e pëlqyeshme të bëhet sa më shumë lutje;
d. Ditët e Teshrikut janë ditë ngrënie dhe pirje, në të cilat është e ndaluar të agjërohet, duke u bashkuar kësisoj lumturimi i zemrave përmes përmendjes dhe falënderimit të Zotit, me atë të trupave përmes ngrënies dhe pirjes nga ushqimet e dëlira që janë prej mirësive të begata të Zotit dhe duke i vënë këto begati në shërbim dhe ndihmë të shtimit sa më të shumtë të bindshmërisë dhe falënderimit ndaj Allahut të Madhëruar, me fjalë dhe vepra.
e. Dita e parë e këtyre tre ditëve (e cila vjen menjëherë pas ditës së bajramit), e quajtur Dita e Vendosjes (sepse në të njerëzit vendosen në Mina pasi bënë Tavafin e Ifadas, prenë kurbanët dhe u shplodhën) përbën ditën më të mirë (të vitit) pas asaj të Kurbanit (bazuar në transmetime të sakta profetike) dhe së bashku me dy ditët e tjera pas saj (12 edhe 13 Dhul Hixhe) i bashkëngjiten ditës së Kurbanit në qenien e tyre ditë feste, agjërimi i të cilave është rreptësisht i ndaluar.
Së dyti: Agjërimi i Ditëve të Teshrikut
Mbi agjërimin e Ditëve të Teshrikut janë dy mendime kryesore:
Mendimi i parë: Agjërimi i tyre i lejohet vetëm haxhiut mutemeti (MUTEMET-TIǏ) që nuk ka mundësi të bëj hedjin (kurbanin që i duhet të bëjë në Mekë).
Mendimi më i fuqishëm i juristëve muslimanë është se agjërimi i Ditëve të Teshrikut nuk lejohet (qoftë edhe agjërimi i ditëve të mbetura prej Ramazanit), përveçse për haxhiun mutemeti, i cili i agjëron këto ditë në pamundësi të bërjes së hedjit (therorit / kurbanit që i duhet të bëjë në Mekë).
Ky mendim bazohet në transmetimin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Profeti ﷺ nuk ua ka lejuar atyre (grave) që të agjërojnë në Ditët e Teshrikut, përveç kujt nuk kishte me se të bënte hedjin”; pra hadithet ndaluese (të cekura në mendimin vijues) janë bëshkërendur dhe bartur pikërisht në frymën e këtij hadithi.
Mendimi i dytë: Agjërimi i këtyre ditëve ndalohet kategorikisht
Të tjerë juristë muslimanë (përfshirë mendimin e medh’hebit hanefi) janë të mendimit se agjërimi i Ditëve të Teshrikut ndalohet kategorikisht (pra qoftë edhe për haxhiun i cili i duhet të bëjë kurban) dhe ky mendim bazohet në transmetimet në vijim:
“I Dërguari i Allahut ﷺ e ka ndaluar agjërimin e Ditëve të Teshrikut, duke thënë: ‘Mos i agjëroni ato, pasi ato janë ditë ngrënie, pirje dhe përmendje e Allahut të Lartmadhëruar.’”
Në po këtë kontekst transmetohet gjithashtu, se Amër Ibn El-A’si i ka vënë për të ngrënë djalit të tij (Abdullahut) dhe ky i fundit i ka thënë se është agjërueshëm. Pas kësaj Amri i ka thënë: ‘Ha. Këto (Ditët e Teshrikut) janë ditë në të cilat i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte të hamë dhe na ndalonte t’i agjërojmë.” [1]
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi
————————
[1] Muslimi (1141), Ebu Davudi (2813) dhe Nesaiu (4230)