Pyetja:

Do donim një shpjegim të përmbledhur në lidhje me kuptimin e kaderit (caktimit) hyjnor dhe angazhimet apo detyrat kryesore që nxjerr besimi në caktimin hyjnor për muslimanin?

***

Përgjigja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Së pari: Dispozita e kaderit (caktimit hyjnor) dhe kuptimi i tij:

Besimi në caktimin hyjnor, përbën një prej bazave apo domosdoshmërive të fesë islame, mohimi i të cilës e nxjerr personin nga feja islame.

Me caktimin hyjnor nënkuptohet fakti se para krijimit të qiejve, tokës dhe gjithçkaje në mes tyre, Allahu e ka ditur dhe shkruar gjithçka dhe se çdo gjë vjen në ekzistencën e krijuar nga Allahu, në përputhje absolute me diturinë, shkrimin, vullnetin, krijimin dhe vendimin e Tij hyjnor.

Besimi në kader (caktimin hyjnor) nuk vlen pa besimin në katër rangjet (nivelet) në vijim të tij:

(a) Besimi se Allahu i Madhëruar, nga përhershmëria e Tij, ka dituri për çdo gjë dhe se Atij nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në qiej dhe në tokë;

(b) Besimi se Allahu i Madhëruar të gjithë këtë (që u cek në pikën e mësipërme) e ka shkruar në El-Leuhu El-Mahfudh1 (Librin e Ruajtur), pesëdhjetë mijë vite para se të krijonte qiejtë dhe tokën;

(c) Besimi në dashjen (dëshirën) ekzekutive të plotfuqishme të Allahut të Madhëruar dhe zotësinë (aftësinë) e Tij absolute (të plotë), ashtu që në këtë gjithësi (univers) nuk mund të ekzistojë diçka prej të mirës apo të keqes përveçse me dashjen e Allahut të Lartmadhëruar;

(d) Besimi se çdo gjë në këtë ekzistencë është krijesë e Allahut, pra Ai është Krijuesi i krijesave dhe i cilësive e veprimeve të tyre; siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje.

Së dyti: Angazhimet kryesore që nxjerr besimi në kader (caktimin hyjnor) janë:

(a) Besimi se njeriu ka dashje (dëshirë/vullnet) dhe fuqi (mundësi) zgjedhjeje, përmes të cilave ai i përmbush veprat e tij; siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ai (Kurani) është veçse këshillë për botët: për secilin nga ju që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë” dhe “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.”

(b) Besimi se duke qenë se Ai që ia dha njeriut dashjen dhe aftësinë që posedon, është vetë Allahu i Madhëruar, së këtejmi dashja dhe aftësia njerëzore nuk mund ta tejkalojnë dashjen e Allahut dhe aftësinë e Tij; siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!

(c) Besimi se kaderi (caktimi hyjnor) është sekret i Allahut në krijimin e Tij dhe ne si besimtarë, atë që Allahu na e ka sqaruar e dimë dhe besojmë në të, ndërsa atë që është prej të fshehtave të Tij ne e pranojmë dhe e besojmë.

(d) Besimi se mendjet dhe kuptimet e kufizuara e të dobta njerëzore, nuk bën t’i vënë në diskutim veprimet dhe vendimet absolute (të plota dhe të pashoqe) të Allahut të Madhëruar; por ajo që na del si detyrë ne si besimtarë është që të besojmë në drejtësinë e plotë dhe urtësinë absolute të Allahut dhe në aksiomën kategorike e cila dëshmohet qartë nga rendi suprem unik që sundon universin, se “Ai (Allahu) nuk pyetet për atë që bën (në krijimin e Tij), kurse ata (krijesat e Tij) pyeten (për veprimet e tyre).

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi