Pyetja:

Cili është statusi i haxhit në Islam dhe për kë është obligim?

***

Përgjigjja:

Haxhi tek Shtëpia e Allahut është një nga shtyllat e Islamit dhe një nga themelet më të rëndësishme të tij. Pejgamberi ﷺ tha: “Islami është ngritur mbi pesë (shtylla): dëshmia se askush s’ meriton të adhurohet, përveç Allahut, dhe Muhamedi është i Dërguar i Tij; falja e rregullt e namazeve, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit te Shtëpia e Shenjtë e Allahut“. [1]
Sipas Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij si dhe sipas njëzëshmërisë së
muslimanëve, haxhi është obligim. Allahu i patëmeta thotë: “Haxhi te Shtëpia (Qabja) është detyrë që njerëzimi i ka borxh Allahut; për ata që kanë mundësi (transporti, ushqimi dhe vendbanimi). Dhe kush e mohon (dmth., e mohon Haxhin), ai e mohon edhe Allahun, por Allahu s’ka nevojë për askënd nga Alemin (njerëzimi, xhinët dhe krejt çka ekziston).” (Ali Imran, 97)
Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu na ka urdhëruar për haxh, kështu që kryeni atë“.
Muslimanët janë të një mendjeje rreth kësaj. Dhe kjo është diçka për të cilën asnjë musliman s’është i arsyetuar të mos dijë për të. Kush e mohon se haxhi është obligim
ndërsa jeton mes muslimanëve, është qafir (jobesimtar). Një person që dështon ta bëjë
atë nga pakujdesia, është në rrezik të madh, sepse disa dijetarë kanë thënë që personi i
tillë është qafir. Ky mendim është transmetuar në njërën nga transmetimet që vijnë nga
imam Ahmedi, por qëndrimi i saktë është se shpërfillja e veprimeve nuk e bën personin
qafir, përveç në rastin e namazit.

Abdullah ibn Shekiik (Allahu e pastë mëshiruar), i cili ishte një nga tabi’inët, tha: “Sahabët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, nuk e konsideronin mosbesim/kufr lënien e një veprimi, përveç lënies së namazit”. [2]

Ai që shpërfill kryerjen e haxhit deri në vdekje, s’është qafir, sipas mendimit më të saktë,
por ai është në rrezik të madh. Muslimani duhet t’i frikësohet Allahut dhe të ngutet për ta kryer haxhin mbasi që të plotësohen kushtet e të qenët e tij obligim, sepse ne duhet të ngutemi t’i kryejmë krejt obligimet, përveç nëse ka dëshmi për të kundërtën e kësaj.
Si mund të zgjedhë dikush të mos e kryej haxhin te Shtëpia e Allahut, kur ai ka mundësi
ta kryejë atë dhe është e lehtë për të shkuarja aty? Si mund ta vonojë, kur nuk e di nëse
do të jetë në gjendje të shkojë aty mbas këtij viti? Ai mund të paaftësohet mbasi të jetë i
aftë, apo mund të varfërohet mbasi të jetë i pasur, apo mund të vdesë kurse haxhi ka
qenë obligim për të, pastaj trashëgimtarët mund ta shpërfillin kryerjen e tij në vend të
tijin.
Janë pesë kushte që e bëjnë haxhin të obligueshëm:
1. Të qenët musliman, e kundërta e së cilës është të qenët qafir. Qafiri s’është i obliguar të kryejë haxhin; edhe sikur ta kryente atë, ai s’do të pranohej prej tij.
2. Te qenët i rritur. Nëse personi hala s’ka mbërri pubertetin, haxhi s’është i obligueshëm për të. Nëse ai kryen haxhin, ai është i vlefshëm dhe njehet si haxh i vullnetshëm, dhe, kur të mbërrijë moshën madhore, ai duhet të kryejë haxhin e obligueshëm, sepse haxhi para pubertetit nuk përmbush obligimin.
3. Pasja e mendjes së shëndoshë, e kundërta e së cilës është çmenduria. I çmenduri s’është i obliguar të kryejë haxhin, dhe haxhi s’mund të bëhet në vend të tijin.
4. Të qenët i lirë. Një rob s’është i obliguar ta kryejë haxhin, por, nëse ai bën haxhin, është i vlefshëm dhe njehet si haxh i vullnetshëm. Nëse ai lirohet, është e obligueshme për të ta kryejë haxhin, sepse haxhi i kryer para se ai të lirohej, nuk përmbush obligimin. Disa dijetarë kanë thënë se, nëse një rob kryen haxhin me lejen e pronarit të tij, kjo është e vlefshme dhe ai s’ka nevojë ta përsërisë atë. Ky mendim është i sakti.
5. Pasja e mundësisë financiare dhe fizike. Në rastin e gruas, kjo përfshin pasjen e
mahremit (përcjellësit). Nëse ajo s’ka mahrem, s’është e obliguar ta kryejë haxhin.

Shejh Ibn Uthejmin, “Fetaua” (21/9-11)

—————————–

[1] Buhariu 8

[2] Muslimi