Pyetja:

Çka do të thotë të kesh mendim të mirë për Allahun?

***

Përgjigjja:

Ibn Haxheri në komentimin e hadithit kudsij tha: ”Allahu i lartësuar thotë: ’Unë jam ashtu siç më mendon robi Im’. [1] Kurtubîu tha në el-Mufhim: ’Është thënë se domethënia e ‘… siç më mendon robi Im’ është të menduarit se do të ketë përgjigje në lutje, të menduarit se do të pranohet pendimi, të menduarit se do të ketë falje (magfireh) pas kërkimit të faljes (istigfar), dhe të menduarit se do të ketë shpërblim për aktet e ibadetit me plotësimin e kushteve të tyre dhe duke besuar sinqerisht në premtimin e Tij. Dhe (Kurtubî) tha se kjo mbështetet nga hadithi tjetër: ’Lute Allahun ndërsa je i bindur se do të të përgjigjet’.
Tha: Për këtë shkak, personi duhet të japë mundin në namaz nate duke qenë i bindur se Allahu do t’ia pranojë atë dhe do ta falë atë, meqë Ai ka premtuar për këtë dhe Ai nuk e thyen Premtimin. Por, nëse personi është i bindur apo mendon se Allahu s’do t’ia pranojë atë dhe se kjo s’do t’i sjellë dobi, kjo është humbje e shpresës në mëshirën e Allahut dhe është nga gjynahet e mëdha. Atij që vdes në këtë gjendje, i caktohet ajo çfarë mendonte, siç qëndron në disa rrugë tjera të hadithit, ku thuhet:’… Pra, le të më mendojë robi si të dojë’. Kurse, sa i përket mendimit (shpresës) për falje krahas këmbënguljes në gjynahe, kjo është injorancë e pastër dhe mashtrim…”

Ish-muftiu i Arabisë Saudite, Shejh Ibn Baz

Përktheu: Suad Shabani

—————————-

[1] Fet’hul-Barî (13/386)