Pyetje: Kur themi es-selamu alejkum ue rahmetullah në fund të namazit, kujt ia themi këtë? A ua themi këtë engjëjve që gjenden në të majtën dhe në të djathtën tonë, apo u themi njerëzve që gjenden në të majtën dhe në të djathtë tonë?
Përgjigje:
Imam Newewi (rahimehullah) tha:
“Qëndrimi jonë është se kjo (selami) është e obligueshme, shtyllë nga shtyllat e namazit, pa të cilin ai (namazi) s’do të jetë i vlefshëm. Këtë e kanë thënë shumica e dijetarëve nga Sahabët dhe Tabi’inët si dhe ata që i pasuan”. (el-Mexhmû 3/462)
Po ashtu, Neveviu tha:
“Imami me selamin e parë duhet të ketë për qëllim daljen nga namazin dhe t’u japë selam atyre që i ka në të djathtë dhe engjëjve (shënues), kurse me selamin e dytë duhet të ketë për qëllim t’u japë selam atyre që i ka në të majtë dhe engjëjve.
Ai që falet mbas imamit (me’mûm), me selamin e parë duhet të ketë për qëllim daljen nga namazi dhe t’i japë selam imamit, engjëjve, si dhe atyre që falen përreth tij në saf, atyre që i ka mbrapa dhe atyre që i ka përpara. Kurse, me selamin e dytë duhet të ketë për qëllim t’u japë selam engjëjve dhe atyre që falen përreth tij, dhe, nëse imami është përpara tij, me dy selamet duhet të ketë për qëllim edhe atë.
Kur personi është i vetëm, me selamin e parë duhet të ketë për qëllim daljen nga namazi dhe t’u japë selam engjëjve, kurse me selamin e dytë t’u japë selam engjëjve. Bazë për këtë është ajo që është transmetuar nga Semure ibn Xhundub ( ﺭﺿﻲﺍﷲﻋﻨﻪ ), i cili tha: “I Dërguari i Allahut na urdhëroi që t’i japim selam vetvetes dhe t’i japim selam njëri-tjetrit…”
Nëse personi e bën nijetin që vetëm të dalë nga namazi e jo t’u japë selam të tjerëve, kjo është e lejueshme, sepse t’u japësh selam të pranishmëve është sunet”. (el-Mexhmu 3/456)
Ibn Kudame (rahimehullah) tha:
“Me selamin e tij personi duhet të ketë për qëllim daljen nga namazi. Nëse bashkë me këtë ai e bën nijet përgjigjen ndaj dy engjëjve dhe ndaj atyre mbas tij, nëse ai vetë është imam, dhe ndaj imamit e atyre që janë me të, nëse ai bën pjesë në xhemat, atëherë kjo nuk prish punë. Është transmetuar nga Ahmedi të ketë thënë: ‘Personi jep selam në namaz dhe më këtë e bën nijetin t’i përgjigjet imamit’.” (el-Mugnij 327-1/326)
Shejh Ibn Uthejmin (rahimehullah) tha:
“Nëse thuhet: Kujt po i jepet selam (në namaz)?
Përgjigja: Kanë thënë: Nëse me personin ka të tjerë, u jep selam atyre; nëse me të s’ka të tjerë, u jep selam engjëjve në të djathtën dhe në të majtën e tij, kështu që ai thotë: es-selamu alejkum ue rahmetullah”. (Sherh el-Mumti’ 208/3)




