Pyetje: Cilat janë situatat në të cilët ne mund të drejtohemi tjetërkah pos kibles?

Përgjigje: Lavdi Allahut. Ndoshta, pyetësi do të dijë rreth situatave kur hiqet dorë nga obligimi për t’u kthyer kah kibla gjatë namazit dhe se është e vlefshme të drejtohemi tjetërkah pos kibles.

Një nga kushtet që namazi të jetë i saktë është të drejtuarit kah kibla, dhe namazi nuk vlen pa këtë, sepse Allahu ka urdhëruar për këtë vazhdimisht në Kuran. Allahu i lartësuar thotë:

“Ktheje fytyrën tënde kah el-Mesxhid el-Haram (në Meke). Dhe kudo që të jeni, ktheni fytyrat (gjatë namazit) në këtë drejtim”. (el-Bekareh, 144)

Kur pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) erdhi në Medine, ai falej në drejtim të el-Bejt el-Makdis (Jerusalem), duke pasur Qaben prapa dhe Sirinë përpara vetes. Por, mbas kësaj, ai shpresoi që Allahu ta ndryshonte këtë, kështu që ai nisi të çonte fytyrën kah qielli duke shpresuar zbritjen e Xhibrilit me Shpallje dhe t’i thoshte atij të kthehej kah Qabja, siç thotë Allahu, më i larti:

“Vërtet, Ne të kemi parë të kthesh fytyrën (O Muhamed) kah qielli. Vërtet, Ne do të të kthejmë kah një kible (drejtim lutjeje) që do të të kënaq, kështu që kthe fytyrën tënde kah el-Mesxhid el-Haram (në Meke)”. (el-Bekare, 144)

Kështu, Allahu e urdhëroi atë të kthehej kah el-Mesxhid el-Haram, por ka tri përjashtime nga kjo:


1. Nëse personi s’ka mundësi ta bëjë këtë

Siç është i sëmuri i kthyer ndryshe nga kibla dhe s’mund të kthehet kah ajo. Detyra për t’u kthyer kah kibla lihet në këtë rast, sepse Allahu i patëmeta thotë:

“Kryeni detyrat ndaj Allahut dhe kini frikë Atë sa të keni mundësi”. (et-Teghabun, 16)
“Allahu nuk rëndon asnjeri përtej mundësive të tij”. (el-Bekareh, 286)

Dhe pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) tha:
“Nëse ju urdhëroj për ndonjë gjë, bëjeni as sa të keni mundësi”. (Buhari 7288; Muslim 1337)


2. Nëse personi është në gjendje frike të madhe

Siç është ai që ikën nga një armik apo nga ndonjë kafshë e egër, apo nga vërshimi i cili mund ta mbysë atë. Në këtë rast, ai duhet të falet pavarësisht se kah është i kthyer. Dëshmi për këtë është ajeti ku Allahu fuqimadh thotë:

“Dhe nëse tuteni (nga një armik), faleni namazin duke ecur apo duke kalëruar, dhe, kur të jeni të sigurt, faleni namazin në mënyrën që Ai ju ka mësuar e që ti s’e dije më herët”. (el-Bekareh, 239)

Fraza “nëse tuteni” është e përgjithshme në domethënie dhe përfshin krejt llojet e tutave. Kurse, fraza “dhe kur të jeni të sigurt, faleni namazin në mënyrën që Ai ju ka mësuar e që ti s’e dije më herët” tregon se cilëndo pjesë të namazit që personi e lë për shkak të frikës, nuk ka gjynah për këtë, dhe kjo përfshin të drejtuarit kah kibla.

Kjo, gjithashtu, tregohet nga dy ajetet më lart dhe nga hadithi në të cilin thuhet se obligimet janë të lidhura me mundësinë e personit për t’i bërë ato.


3. Kur të falni namaz nafile (të vullnetshëm) gjatë udhëtimit

Qoftë në aeroplan, qoftë në veturë a në deve, personi mund të falet ngado që të jetë i kthyer. Kjo vlen për namazet nafile si witri, namazi i natës (kijam), namazi i Duhasë dhe kështu me radhë.

Udhëtari duhet të falë krejt nafilet saktësisht si ai që nuk është duke udhëtuar, përveç Suneti të rregullt, si Suneti i drekës, i akshamit dhe i jacisë. Sunet është që këto namaze të mos falen.

Nëse personi do të falë namaz nafile ndërsa udhëton, ai mund t’i falë ato ngado që të jetë i kthyer. Kjo është transmetuar në dy Sahitë nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam).


Në këto tri raste, nuk është obligim të drejtohemi kah kibla.

Sa i përket atij që nuk di, ai duhet të kthehet kah kibla. Por, nëse ai mundohet ta gjejë e më pas e kupton se ka gabuar, ai s’ka nevojë ta përsërisë namazin.

Nuk themi se hiqet dorë nga obligimi për t’u kthyer kah kibla, por ai duhet të kthehet kah kibla dhe të mundohet sa të mundet për ta bërë këtë. Nëse ai bën çfarë mundet dhe gabon, ai nuk ka nevojë ta përsërisë namazin e tij.

Dëshmi për këtë është fakti se Sahabët nuk po e dinin se kibla ishte ndërruar, kur po falnin namazin e sabahut një ditë në xhaminë e Kubes dhe erdhi një burrë e u tha: “Të Dërguarit të Allahut i është zbritur sonte Kuran dhe ai u urdhërua të kthehet kah Qabja, pra, kthehuni kah ajo”. Ata ishin të kthyer kah Siria dhe u kthyen kah Qabja. (el-Buhari 304, Muslim 526)

Mbasi Qabja ishte prapa tyre, ata e vendosën përpara tyre. Pra, ata u kthyen, por vazhduan të faleshin. Kjo ndodhi në kohën e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selam) dhe ai nuk e dënojë këtë, kështu që kjo është e pranueshme sipas sheriatit, dmth nëse një person bën gabim në drejtimin e kibles ngaqë nuk e di atë, ai nuk ka nevojë ta përsërisë namazin. Por, nëse e merr vesh më vonë, qoftë edhe gjatë namazit, ai duhet të kthehet kah kibla.

Drejtimi kah kibla është një nga kushtet e namazit pa të cilin namazi s’është i vlefshëm, përveç në tri rasteve të përmendura më lart, përveç kur një person bën gabim mbasi të mundohet sa të mundet për ta gjetur atë.

/Nexhmi Fetaua ibn Uthejmin 12/433-435/