A ka cikël menstrual në kohën e shtatzënisë?

Përgjigjja:
Imam Ahmedi thotë: *“Femrat e kuptojnë se kanë mbetur shtatzëna atëherë kur nuk u vijnë menstruacionet.”( El-Mugni, 1/444)
Pra, vetë shtatzënia nënkupton ndërprerjen e ciklit menstrual, pasi nuk ka mundësi që të dalë gjaku i menstruacioneve dhe në të njëjtën kohë gruaja të jetë shtatzënë.
Këtë mendim e mbron edhe Ebu Hanifja. Megjithatë, edhe pse në njëfarë mënyre është e çuditshme, ekziston një grup dijetarësh, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe juristët maliki, të cilët lënë të hapur mundësinë e ciklit menstrual te gratë shtatzëna.

Grupi i parë janë kategorikë në lidhje me paraqitjen e ciklit menstrual gjatë shtatzënisë dhe se gjaku që rrjedh gjatë kësaj periudhe konsiderohet si i çrregulluar dhe jo si i menstruacioneve.
Por, sipas mendimit të dytë, nëse femrës shtatzënë i rrjedh gjak nga organi i saj gjenital dhe ky gjak ka vetitë e tij, atëherë konsiderohet si gjak menstruacionesh.

Por, me gjithë këto dallime në qëndrime në mesin e dijetarëve, mund të konkludojmë se mendimi më i avancuar është ai që përfaqëson imam Ebu Hanifja dhe imam Ahmedi.

Shkëputur nga libri: “Dispozitat fetare mbi ciklin menstrual, hemorragjinë dhe lehoninë.” / Hoxhë Lulzim Susuri