Pyetja:

Çka duhet të na përcjell edhe pas Ramazanit?

***

Përgjigjja:

Ramazani është muaji i përkushtimit dhe i agjërimit. Në të besimtari forcon veten e tij në devoshmëri, për këtë temë dhe ajetet e Kuranit duke filluar me fjalët: “O ju që besuat, ju është bërë detyrë agjërimi siç ju ishte bërë detyrë dhe atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)

Për këtë gjë agjërimi i Ramazanit ka qenë gjithmonë një lloj retrospektive dhe ushtrimi për muslimanin në durimin, moralin dhe diturinë e tij, gjëra të cilat e shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës së tij.

Po kështu vijnë dhe hadithet e Profetit ﷺ duke shpjeguar kuptimin edukues të agjërimit. Prej këtyre haditheve përmendim transmetimin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nga Profeti ﷺ, i cili thotë: “Ai i cili nuk largohet prej fjalëve e punëve të keqja dhe injorancës, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ngrënjen dhe pijen“. [1] Po kështu vjen dhe hadithi tjetër i Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku Profeti ﷺ thotë: “Kur të jeni të agjërueshëm gjatë ditës mos flisni gjëra të pista e të ulta dhe nëse dikush ju ofendon apo ju godet, thoni: unë jam agjërueshëm“. Po në këtë temë transmetohet prej Abdullah ibn Mes’udit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti ﷺ ka thënë: “Nëse keni mundësi të martoheni, martohuni e nëse jo, atëherë agjëroni, sepse agjërimi është përulësi”. [2]

Po kështu agjërimi vjen dhe si shlyerje ndaj gjynaheve siç thuhet në hadith: Sprovat që njeriu kalon me familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij i shlyen namazi, agjërimi dhe sadakaja.

Prej rëndësisë që ka ky adhurim Allahu xh.sh., i ka përgatitur agjëruesve një derë të veçantë për ta në xhenet. Siç transmetohet prej Sehl ibnu Sa’ad (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Xhenet është një derë e quajtur Rejan, prej saj do të hynë Ditën e Gjykimit vetëm agjëruesit dhe askush tjetër veç tyre. Një zë do thërrasi: Ku janë agjëruesit? Dhe ata do të drejtohen drejt saj e do të futen e prej asaj dere nuk futet vetëm se ata (agjëruesit), e kur të hynë të gjithë agjëruesit ajo derë do të mbyllet e nuk ka për të hyrë në të askush“. [3] Ndërsa në një transmetim tjetër hadithi vjen me këtë tekst: “Xheneti ka tetë dyer. Njëra prej këtyre tetë dyerve quhet Rejan prej së cilës nuk do të futen vetëm se agjëruesit“. [4]

Pra agjërimi është edukim për muslimanin në jetën e tij. Është ndihmë për të në ato momente kur do të kontrollojë dhe nënshtrojë egon e tij. Po kështu agjërimi është në një pozitë të lartë tek Allahu dhe ky adhurim bën që të hapet për shkak të tij një prej dyerve të Xhenetit.

Nëse themi se agjërimi i detyrueshëm është në muajin e Ramazanit, kjo do të thotë se jashtë tij agjërimi është i lejuar përveç dy ditëve të Bajrameve dhe ditës së dyshimit (dita pararendëse e muajit Ramazan). Është i papëlqyeshëm në ditët e teshrikut (dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit të Kurbanit). Po kështu është i papëlqyeshëm agjërimi i ditës së Premte apo të Shtunë të vetme pa i shoqëruar ato me një ditë tjetër, qoftë para apo pas tyre.

Agjërimi jashtë Ramazanit ndahet në dy pjesë:

Agjërim vullnetar dhe agjërim i detyruar.

Së pari: Agjërimi vullnetar:

Ky lloj agjërimi bën pjesë tek ato adhurime të cilat janë shlyese të gabimeve siç e shohim këtë gjë dhe në hadithin e lartpërmedur të Hudhejfes: Sprovat që njeriu kalon me familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij i shlyen namazi, agjërimi dhe sadakaja. Dhe në hadithin e Ebu Katade El-Ensarit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku Pejgamberi ﷺ është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe ai thotë: “Shlyen gabimet e vitit të kaluar dhe vitit që do të vijë.” Po kështu është pyetur për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai thotë: “Shlyen gabimet e vitit të kaluar.” [5]

Në hadithin e transmetuar nga prej Ebu Seid El-Hadrij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku ai thotë: Pejgamberi, ﷺ ka thënë: Çdo besimtar që agjëron një ditë në rrugë të Allahut (për hir të Allahut), Allahu prej kësaj vepre do e largojë fytyrën e tij nga zjarri i Xhehenemit shtatëdhjetë vjeshta (vjet). [6]
Në hadithin e transmetuar prej Ebu Umames (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut (Për hir të Allahut) Allahu do bëj midis tij dhe zjarrit një hendek të gjerë aq sa është gjerësia midis tokës dhe qiellit. [7]

Llojet e agjërimit vullnetar:

a- Agjërimi i pacaktuar

Transmetohet prej Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë se Pejgamberi ﷺ e linte agjërimin gjatë një muaji aq sa mendonim se nuk do të agjërojë më prej atij muaji e në kohë tjetër agjërontë aq shumë san e mendonim se nuk do ta lërë agjërimin asnjë ditë. [8]
Po kështu transmetohet nga Ibnu Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku thotë: Pejgamberi ﷺ asnjëherë nuk ka agjëruar një muaj të plotë përveç se muajin e Ramazanit. E kur agjëronte e vazhdonte agjërimin deri sa thonim: për Allahun nuk do e lërë më, e kur nuk agjëronte e linte atë deri sa thonim: për Allahun nuk do agjërojë më. [9]

b- Agjërimi i caktuar

1-agjërimi i ditës së Ashures: Transmetohet nga Ebu Musa El-Esh’arij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: Dita e Ashures ka qenë ditë e shenjtë për hebrenjtë dhe ata e festonin atë ditë, ndërsa neve Pejgamberi ﷺ na tha: Ju agjërojeni këtë ditë. [10]
Në transmetimin e Ibnu Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: Kur Pejgamberi ﷺ e agjëroi ditën e Ashures e u tha dhe të tjerëve ta agjëronin atë ditë disa prej të pranishmëve i thanë: o i Dërguari I Allahut, kjo ditë është e shenjtë për hebrenjtë dhe të krishterët! Pejgamberi ﷺ u tha: Nëse do e arrijmë vitin që vjen do ta agjërojmë bashkë me ditën e nëntë. E viti që pasoi ishte viti ku Pejgamberi ﷺ vdiq. [11]

2- agjërimi i ditës së Arafatit: Transmetohet nga Ebu Katade (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: është pyetur Pejgamberi ﷺ për vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe ai tha: “Shlyen gabimet e vitit të kaluar dhe vitit që do të vijë.” Po kështu është pyetur për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai tha: “Shlyen gabimet e vitit të kaluar.” [12]

3- agjërimi i gjashtë ditëve në muajin Sheual: Transmetohet nga Ebu Ejub El-Ensarij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: Ai që agjëron Ramazanin dhe më pas atë e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit do të jetë për të (në shpërblim) sikur të ketë agjëruar të gjithë jetën. [13]

4- agjërimi i dhjetëditëshit të parë të muajit Dhul Hixhe: Transmeton prej Hunejd ibnu Halid se një grua shkoi tek Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!), (te gruaja e Pejgamberit ﷺ) dhe dëgjoi atë që thonte: I Dërguari i Allahut ﷺ agjëronte nëntë ditët e para të Dhul Hixhes dhe tre ditë të çdo muaji: të hënën e parë të muajit dhe dy të enjte. [14] Transmetohet nga Ibnu Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: Ditët që Allahu i do më shumë punët e mira janë këto ditë (dhjetë ditët e Dhul Hixhes). I thanë: o i Dërguari i Allahut, dhe xhihadi në rrugë të Allahut? Tha: Dhe xhihadi në rrugë të Allahut, përveç atij i cili shkon në luftë me pasurinë e tij e nuk kthehet prej saj (bie dëshmor). [15]

5- agjërimi i muajit Muharrem: Transmetohet prej Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: Agjërimi më i mirë mbas Ramazanit është agjërimi i muajit Muharrem dhe namazi më i mirë mbas farzit është namazi i natës. [16]

6- agjërimi i muajit Shaban: Transmetohet nga Aishe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e cila ka thënë: I Dërguari i Allahut brenda nje muaji më së shumti agjëronte në Shaban, aq sa ai e agjëronte atë pothuajse të gjithin. [17]
Transmetohet prej Usame ibnu Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: I thashë të Dërguarit të Allahut ﷺ: o i Dërguari i Allahut, të shoh që më shumtë agjëron në Shaban se sa gjatë muajve të tjerë. Tha: Ky muaj është i neglizhuar prej njerëzve duke qenë se është midis Rexhebit e Ramazanit. Ky është muaji që veprat tona ngrihen tek Zoti i gjithësisë dhe dua që kur të ngrihen punët e mia tek Zoti të jem i agjërueshëm. [18]

7- agjërimi i ditëve javore: Transmetohet prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ﷺ agjëronte ditën e hënë dhe ditën e enjte. [19]

8- agjërimi i ditëve të bardha të çdo muaji: Transmetohet prej Melhan i cili thotë se i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte të agjëronim ditët e bardha të trembëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën (të muajit hënor). Tha: Agjërimi i tyre është si të agjërosh pa ndërprerje. [20]

Së dyti: Agjërimi i detyrueshëm:

Ky është agjërimi të cilin muslimani e ka për detyrë që ta veprojë. Shpërblehet nëse e bën dhe dënohet nëse nuk e bën, është detyrë ta bëjë përsëri nëse e prish (agjërimin) ose ha në atë ditë. Ky është agjërimi i cili ka si kusht që nijeti të bëhet para agimit, nuk ka kusht të tijin lejen e burrit e as të ndonjë tjetri. Ky agjërim është në disa lloje:

Agjërimi Kaza (kur i ka kaluar koha) – Allahu xh.sh., thotë: “Këto janë ditë të kufizuara e nëse ndokush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim ta zëvendësojë (agjërimin) në ditët e mëvonshme.” (Bekare: 184) Po kështu dhe femrat të cilat janë me menstruacione apo janë lehona në ditët e Ramazanit, i lejohet ta zëvendësojë atgjërimin e këtyre ditëve më vonë. Lejohet që këto ditë t’i zëvendësojë në atë stinë kur dita është më e shkurtër dhe më e freskët. Lejohet që këto ditë të agjërohen njëra pas tjetrës ose dhe të veçuara.

Agjërimi i zotimit. Kjo ndodh kur besimtari zotohet të veprojë një adhurim në mënyrë vullnetare. Siç thotë Allahu në Kuran: Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti Im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” (Ali Imran: 35) Në një ajet tjetër Allahu i ka lavdëruar ata të cilët e çojnë zotimin e tyre deri në fund: Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund. (Insan: 7)

Së treti: Agjërimi për shpagim:

Shpagimi në fenë e Allahut (Islamin) bëhet: duke liruar robërit, duke agjëruar ose duke ushqyer apo veshur të varfërit.

Shpagimin e mardhënjeve në ditë të Ramazanit apo vrasjes apo Dhiharit (kur e konsideron gruan në një moment sikur të jetë si nëna, motra apo vajza) duhet që ta bëjmë me atë që është në radhë i pari: lirimi i robit. Nëse nuk ka mundësi që ta kryej këtë lloj shpagimi, atëherë kalojmë në llojin e dytë të shpagimit që është agjërimi i dy muajvë të pa ndërprerë në asnjë ditë nga dita e parë e deri tek dita e gjashtëdhjetë.

Ndërsa për shpagimin e betimit kemi mundësi të zgjedhim midis lirimit të robit dhe ushqyerjes së dhjetë të varfërve, nëse nuk kemi mundësi të veprojmë një nga këto të dyja, atëherë kalojmë tek agjërimi i tre ditëve. Siç thotë Allahu në Kuran: “Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës.” (Maide: 89)

Dijetarët kanë vënë kushte për agjërimin e shpagimit:

a- Nijeti. Nuk lejohet të agjërosh për shpagim nëse nuk e ke bërë nijetin para agimit, sepse ky është agjërim i detyruar.

b- Tetabu’u. Agjërimi i këtyre ditëve njëren pas tjetrës pa ndërprerje tek shpagimi i Dhiharit, marrëdhënieve në ditët e Ramazanit apo vrasjes. Duhet që këtë agjërim të bëhet pa ndërprerje nga dita e parë e deri tek e gjashtëdhjeta e nëse ndalon agjërimin në ditën e pesëdhjetë e nëntë atëherë detyrohesh që ta fillosh këtë agjërim nga e para, pra nga dita e parë. Në këtë kusht nuk hyn agjërimi për shpagimin e betimit.

Hoxhë Migen Matraku

———————————–

[1] Buhariu: 1903, 6057

[2] Buhari dhe Muslimi

[3] Buhariu dhe Muslimi

[4] Buhariu

[5] Muslimi

[6] Buhariu dhe Muslimi

[7] Tirmidhiu

[8] Buhariu dhe Muslimi

[9] Buhariu dhe Muslimi

[10] Buhariu dhe Muslimi

[11] Muslimi

[12] Muslimi

[13] Muslimi

[14] Ebu Davudi dhe Nesaiu

[15] Buhariu

[16] Muslimi

[17] Buhariu dhe Muslimi

[18] Nesaiu

[19] Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe

[20] Nesaiu