Pyetja:

Cila kafshë është më së miri të prehet për kurban?

***

Përgjigjja:

Kurbani më i mirë është deveja, pastaj lopa, pastaj delja, pastaj një pjesë nga deveja apo nga lopa, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë lidhur me xhumanë: “Kushdo që vjen më herët, është sikur të ketë bërë kurban një deve…”

Çështja është se këtu ka një rend parapëlqimi mes deveve, lopëve dhe deleve në afrimin ndaj Allahut nëpërmjet kurbanit. Padyshim, kurbani është një nga aktet më madhështore të adhurimit, nëpërmjet të cilit mund t’i afrohemi më shumë Allahut. Një deve është më e vlefshme dhe më e dobishme. Ky është opinioni i tre imamëve: Ebu Hanifes, esh-Shafi’i dhe Ahmed.

Imam Maliku ka thënë: “Më e mira është delja e re, pastaj lopa, pastaj deveja, sepse Pejgamberi ﷺ ka bërë kurban dy desh, dhe ai ﷺ nuk ka bërë veçse atë që ishte më e mira.” Përgjigjja në këtë është se Pejgamberi ﷺ, nganjëherë, zgjidhte variantin që s’ishte më i miri, për shkak të mëshirës që kishte ndaj umetit, sepse ata e ndjekin shembullin e tij. Ai ﷺ nuk donte t’ua vështirësonte gjërat atyre. Ai ka thënë që më e mira është deveja, pastaj lopa, pastaj delja, siç u tha më parë. Allahu e di më së miri.

Komisioni i Përhershëm i Fetvave (11/398)

Shejh ibn Uthejmin ka thënë: “Kurbani më i mirë është deveja, pastaj lopa, nëse theret një kafshë e tërë, pastaj delja, pastaj dhia, pastaj një e shtata e devesë, pastaj një e shtata e lopës”. Po ashtu, ka thënë: “Është haram të shitet ndonjë pjesë e kurbanit, qoftë mish apo diçka tjetër, madje edhe lëkura. Kasapit s’bën t’i jepet ndonjë gjë nga kurbani në pagimin për punën e tij, sepse kjo është si shitja. Për sa u përket deshve, dashi duhet të ketë mbërri moshën një vjeç, që të jetë i lejueshëm për kurban, por Suneti na tregon që është e lejueshme të bëhet kurban një xhedh’eh.

Shumica e dijetarëve thonë që kjo vlen vetëm për delen xhedh’eh, jo për dhinë xhedh’eh. Delja xhedh’eh është delja gjashtë muajsh, por sa më e vjetër se gjashtë muaj të jetë, aq më mirë, sepse disa nga medhhebet thonë që xhedh’eh do të thotë një vjeç. Dëshmia që tregon se mosha e dëshirueshme, sipas sheriatit, është një vjeç, është hadithi merfu nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Mos therni veçse kafshë dy vjeçe, përveç nëse e keni të vështirë. Atëherë, therni një dele xhedh’eh”. [1]

Domethënia e drejtpërdrejtë e këtij hadithi është se delja xhedh’eh është e pranueshme vetëm nëse s’ka dele dy vjeçe. Por, shumica e dijetarëve e kanë komentuar këtë të jetë një referim ndaj asaj që është mustehab/e rekomandueshme, dhe ata citojnë si dëshmi këtë që vijon: Është transmetuar nga njëri prej shoqëruesve të Pejgamberit ﷺ se “një xhedh’eh është e mjaftueshme për atë për të cilën është e mjaftueshme një dy vjeçare”. [2]
Është transmetuar nga Ukbeh ibn Amir të ketë thënë:”Ne, së bashku me të Dërguarin e Allahut, therëm një dele xhedh’eh. [3]

Duhet të theksojmë se kushtet janë të njëjta, si për kurbanin që theret për lindjen e fëmijës (akika), ashtu edhe për udhijeh (të bajramit): kafsha duhet të jetë pa të meta dhe e moshës së duhur. Dëshmi për këtë është kijasi (analogjia), bazuar në faktin që të dyja janë kurbane. Kështu, le të dihet se është e pranueshme të prehet si kurban një dele që ka mbërri moshën gjashtë muajsh. Allahu e di më së miri.

Ahkam el-Udhijeh

—————————–

[1] Muslim 1963

[2] Nesaiu (4383) dhe Ebu Davudi (2799)

[3] Nesaiu (4382)