Pyetja:
Shoh ëndrra me epsh, edhe pse nuk mendoj për gjëra të tilla. Kjo gjë më ndodh vetëm kur fle pas faljes së namazit të sabahut apo kur bie të kotem në mes të namazit të natës dhe atij të sabahut, madje edhe kur jam agjërueshëm.
Shpesh frikësohem të bie të fle, kjo ndodh edhe pse unë praktikoj dhikrin para se të fle (vlen të ceket se kjo gjë nuk më ndodh kurrë në gjumin e natës). Çfarë duhet bërë, a ka nevojë të bëj gusëll pas ëndrrave të tilla apo ç’duhet bërë?
Unë nuk jam e martuar dhe e di që femra duhet të marrë gusëll pas ciklit menstrual dhe pas fjetjes me burrë, e për këto ëndrra nuk po kam njohuri.
***
Përgjigjja:
Ajo që ju ndodh juve është një natyrshmëri e cila u ndodh shumë femrave, posaçërisht nëse janë në fillim të pubertetit, prandaj nuk duhet t’ju frikësojë dhe të ndiheni e shqetësuar.
Kjo u ka ndodhur edhe femrave në kohën e të Dërguarit ﷺ. Tregohet me një rast se Umu Sulejm erdhi të Profeti ﷺ dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, vërtet Allahu nuk ka turp nga haku. A është e obliguar që gruaja të pastrohet nëse sheh ëndërr?” I Dërguari ﷺ thotë: “Po, nëse sheh ujë.” [1]
Gjithashtu përcillet se Muhamedi ﷺ ka thënë: “Nëse femra gjen në ëndërr atë që gjen mashkulli, atëherë le të pastrohet.” [2]
Nga këto dy hadithe konkludojmë se nëse femra sheh në ëndërr marrëdhënie intime ose diçka të ngjashme me këtë e ndien epsh, atëherë ajo obligohet të pastrohet, por këtu kushtëzohet që ajo të ketë ndier orgazëm dhe të ketë ejakuluar. Eshtë e njohur se edhe femra kur ejakulon nxjerr sekrecion nga organi dhe ky sekrecion rëndom merr ngjyrën e verdhë. Nëse gruaja zgjohet dhe i kujtohet se ka parë ëndrra të këtilla, pastaj i sheh rrobat e lagur ose edhe janë tharë, por shenjat shihen, atëherë ajo obligohet të pastrohet. Por nëse ajo ka parë ëndërr dhe nuk sheh shenja në rroba, atëherë nuk e ka obligim të marrë gusul.
Ibën Kudame në komentimin e hadithit të parë thotë: “I Dërguari ﷺ e ka lidhur pastrimin me shikim, kur thotë: “Po, nëse sheh ujë.” [3]
Edhe Ibën Haxheri thotë: “Nga ky hadith përfundojmë se gruaja obligohet me gusul nëse ejakulon.” [4]
Prandaj, pa u zgjeruar më shumë themi se dispozita në lidhje me këtë çështje është që nëse gruaja ka parë ëndërr dhe ka ndier epsh, por kur është zgjuar nuk vëren shenja të ejakulimit dhe tajitjes së sekrecionit, atëherë ajo nuk obligohet të pastrohet, por nëse shenjat janë të pranishme, atëherë pastrohet.
Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
———————
[1] Buhariu
[2] Ebu Davudi
[3] “Mugni”, Ibën Kudame, vëll.1, f. 200.
[4] “Fet`hul Bari”, Ibën Haxher, vëll.1, f. 389.