Problemi qëndron në faktin se momentalisht ai e ka të vështirë të kërkojë dorën time në mënyrë zyrtare, për shkak të kushteve të cilat nuk ia mundësojnë këtë gjë. Unë kam pranuar ta pres derisa të piqen kushtet, pasi do të diplomohet këtë vit. Edhe pse është i dalluar në mësime, ai mund dhe mund të mos gjejë punë. Unë ia kam përmendur këtë dhe mu përgjigj se nëse nuk gjen punë në sektorin shtetëror, do të kërkojë në atë privat. Nëse edhe atje nuk gjen punë, do të merret me kaligrafi arabe në mënyrë private.
Duke parë vendosmërinë e tij, unë pranova të pres derisa të krijohen kushtet e nevojshme. Ajo që më shqetëson është se ai më kërkon të kontaktojmë si më parë nëpërmjet emailit në kufijtë e lejueshëm, ashtu siç kemi bërë më parë. Në fakt, unë nuk ndihem e qetë nga kjo gjë. Më parë, edhe pse komunikonim ai nuk më ishte shprehur se kishte simpati për mua, unë ndihesha fajtore dhe jo e qetë për atë që bëja. Në fakt, ia kam shprehur disa herë që kjo që bëjmë nuk më pëlqen dhe nuk lejohet, edhe pse bisedojmë për tema të shkollës dhe në kufijtë e lejueshëm.
Ai u mërzit shumë kur unë vendosa ndërprerjen e komunikimit dhe u mundua me çdo formë që të më bindë, por dështoi. Unë kam frikë t’i shkel dispozitat e Zotit edhe pse ai më ka premtuar se nuk do gjej asnjë fjalë jashtë kontekstit fetar dhe se i njeh mirë kufijtë e tij. Nga njëra anë, i frikësohem Zotit, por nga ana tjetër shqetësohem që ai mërzitet. Unë dua të di nëse ky komunikim është i dënueshëm, edhe pse ai nuk flirton me mua dhe nuk më flet veçse me respekt. Nga ana tjetër, unë e kam vënë në dijeni edhe nënën për lidhjet e mia me këtë djalë, e cila më tha se kjo është një çështje që më përket mua. Megjithatë, kur dikush kërkoi dorën time, ndjeja se ajo sikur më shtynte që unë ta pranoj, edhe pse nuk kishin kaluar dy javë nga dita që e njoftova.
Uroj të më ndihmoni si ta bind nënën që ky djalë është personi më i përshtatshëm për mua, me qëllim që t’u japë fund presioneve. A konsiderohet si keqtrajtim i prindërve refuzimi im për djemtë që kërkojnë dorën time? Sidomos, duke ditur që ajo nuk i sheh dhe nuk i konsideron të rëndësishëm ato gjëra që për mua janë të tilla. Shpesh herë më thotë se unë nuk mendoj në mënyrë të logjikshme dhe se personi që ka kërkuar dorën time është me emër të mirë, falet, agjëron dhe i përmbush kriteret… sakaq unë nuk e konstatoj diçka të tillë dhe ndihem e frikësuar dhe e stresuar.
Në të kaluarën, frikësohesha se nuk do gjen një person sipas shijeve të mia dhe më kaplonte paniku se mund të bija në duart e një personi që nuk më vlerëson dhe nuk më trajton siç dua unë. Tashmë unë e kam gjetur njeriun që ëndërroja dhe që më kupton, por më duhet të pres e frikësuar se mos presionet më shtyjnë të pranoj dikë tjetër.
Familja ime duan një person të pasur, kurse mua nuk më hyn në sy pasuria. Nëse gjej njeriun e duhur, unë pranoj të jetoj në një kasolle me të, por në një atmosferë të qetë, plot dashuri, mirëkuptim dhe larg poteres dhe shamatave. Unë besoj se është burri ai që sjell pasurinë dhe bollëkun dhe jo anasjelltas. çfarë vlere kanë ato kështjella dhe vila, ku njerëzit që banojnë në to nuk e njohin buzëqeshjen? Si mund ti bind familjarët e mi se mendimi dhe zgjedhja ime është e duhura, për një jetë të lumtur? Kërkoj ndjesë për zgjatjen, Zoti ua shpërbleftë me të mira.”
***
Përgjigjja:
Bija ime! Shpesh herë më ndodh që ta pyes veten: Përse e ndalon islami çdo lloj kontakti mes një të riu dhe të reje, jashtë kuadrit të martesës? Pas qindra konsulencash dhe problemesh të dërguara në adresën time gjatë viteve të kaluara, e përmblodha përgjigjen në dy pika:
Së pari: Sepse kontaktet e veçanta, patjetër që do të evoluojnë. Ato nuk qëndrojnë dot në një etapë, sado fetar dhe të moralshëm të jenë të dy palët.
Së dyti: Sepse kontaktet e veçanta, e familjarizojnë njërën palë me tjetrën, duke i forcuar lidhjet e tyre ditë pas dite. Sakaq, garancitë e qarta, marrëveshjet zyrtare, plane të paracaktuara për martesë nga familjarët e secilit, as që ekzistojnë. Rrjedhimisht, nëse – Zoti mos e thashtë – ndodhin pengesa në rrugën e martesës, si nga ana e familjarëve apo aspekti ekonomik, gjë e cila e dështon projektin për martesë, dhimbja që shkaktohet është shumë e madhe dhe goditja është shumë e rëndë. Prandaj, një kontakt i kësaj forme është i ndaluar. Janë këto dy shkaqe – sipas këndvështrimit tim – që Ligjvënësi suprem i ka ndaluar kontaktet e veçanta jashtë lidhjes martesore.
Në këtë kontekst, dua të shtroj një pyetje, të cilës duhet ti përgjigjesh ti vetë: Cili është objektivi nga kontaktet që kolegu yt kërkon të mbajë me ty? Ju të dy do të flisni dhe komunikoni rreth mësimeve dhe çështjeve fetare. A është me të vërtetë ky objektivi? A janë mësimet dhe dija qëllimi dhe objektivi i vërtetë? Apo qëllimi dhe objektivi është kënaqësia që të falë biseda dhe muhabeti mes dy të dashuruarve? Mos është qëllimi vazhdimësia e marrëdhënieve derisa pala tjetër të garantojë se nuk do të braktiset dhe të harrohet? Mos është objektivi thjesht prezantimi dhe njohja më e thellë?
– Nëse qëllimi i kontakteve dhe komunikimit janë mësimet, ato gjenden në libra dhe konsultimi mund të bëhet me shoqet dhe koleget e tjera.
– Nëse qëllimi është kënaqësia, ajo nuk ka kuadër tjetër përveç kuadrit bashkëshortor.
– Nëse qëllimi është garancia, nuk ka garanci më të madhe se devotshmëria dhe frika prej Zotit. Nëse kjo lidhje është e hajrit, Zoti e lehtëson, në të kundërt e largon dhe e ndërpret.
– Nëse qëllimi është prezantimi dhe njohja sa më e mirë, besoj se periudha e kaluar ka qenë e mjaftueshme për këtë.
Besoj se nuk ekziston ndonjë qëllim dhe objektiv i pranueshëm, prandaj kontaktet nuk kanë asnjë domethënie që të zgjaten më tej.
Pyetjet që shtrove: Si t’ia mbush mendjen familjarëve për opinionin dhe mendimin tim? Si t’ua vërtetoj se zgjedhja ime është e drejtë? Si të shpëtoj nga presionet e tyre? A konsiderohet refuzimi im keqtrajtim për prindërit?
Thotë profeti Muhamed ﷺ: ”O ju të rinj! Kushdo prej jush që e ka të mundur martesën, le të martohet. Kush nuk mundet, le të agjërojë!”
Sipas hadithit, ekziston një nivel minimal ekonomik që e mundëson martesën. Është e drejta jote që të pranosh të jetosh në një kasolle dhe ta përballosh me durim të ftohtin, urinë dhe etjen. Kjo është zgjedhja jote dhe ti gëzon lirinë e plotë për këtë. Por, ti nuk ke aspak të drejtë që këtë zgjedhje t’ua imponosh dhe fëmijëve të tu!! Çfarë faji ka djali yt i cili nuk do gjejë qumështin e mjaftueshëm kur të uritet, ilaçe kur të sëmuret, mbulesë kur të jetë ftohtë dhe shkollën e duhur kur të mbushë moshën??!!
Fjalët e mia mos i merr sikur unë jam kundër idesë së durimit, përpjekjeve dhe luftës për të ngjitur shkallët një e nga një. Përkundrazi, unë pajtohem plotësisht me idenë e thjeshtësisë në përgatitjet për martesë dhe mosekzagjerimit në dhurata dhe shpenzime. Por – siç e thashë dhe më lart – kjo ka një kufi minimal për përballimin e shpenzimeve materiale të martesës. Nëse ndien që ky nivel minimal nuk realizohet dhe nuk arrihet, atëherë më mirë prefero agjërimin. Por nëse ndien se ky kufi minimal arrihet, ose të paktën mund të realizohet pas një farë kohe, është e lehtë ta bindësh familjen tënde.
Mënyra e vetme për të bindur familjarët e tu, është hapi konkret, ku ky djalë të trokasë në derën tuaj dhe të kërkojë dorën tënde. Nëse nuk e ka të mundur martesën momentalisht, të prezantohet me familjen tënde, të tregojë se çfarë posedon dhe çfarë jo dhe pas sa kohësh kushtet e tij ia lejojnë të realizojë martesën. Kjo është mënyra e vetme për t’i bindur njerëzit e tu.
Nuk konsiderohet keqtrajtim dhe mosrespekt nëse refuzon kandidatët që kanë zgjedhur prindërit dhe familjarët e tu.
Keqtrajtim dhe mosrespekt është kur ti u imponohesh me një zgjedhje që për ta është e papranueshme. Fillimisht, ata duhet të binden për këtë djalë dhe mënyra e vetme për t’i bindur është siç e ceka më lart.
Në fund, e lus Zotin me sinqeritet dhe me gjithë zemër që t’i lehtësojë problemet dhe hallet e tua, të gëzojë me një person të përshtatshëm dhe të japë lumturi në jetë!
Islamonline
Radioislame