Pyetja:

Disa profesoresha u përgjigjen nxënëseve në disa çështje sheriatike, ndërsa ato nuk e kanë diturinë e duhur sheriatike. Cili është statusi i kësaj?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut Mbikëqyrësit të Gjithësisë, kurse paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij ﷺ!

Përgjigjja në këtë pyetje përbëhet prej dy pjesëve.

Pjesa e parë ka të bëjë me nxënëset, ndërsa pjesa e dytë me profesoreshat. Sa i përket nxënëseve, pra ato që pyesin, e kanë të lejuar të pyesin atë njeri që e konsiderojnë kompetent të japë fetva, gjegjësisht atë për të cilin dihet se ka dituri të duhur sheriatike.
Ngase këto janë pyetje që kanë të bëjnë me fenë, andaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm. Njeriu që dëshiron të niset për në rrugë dhe vendos të pyes për atë rrugë, atëherë ai nuk e pyet këdo, por vetëm atë që e njeh si udhëzues të mirë në atë rrugë.
Kështu, ai që niset rrugës e cila të çon te i Gjithëmundshmi, do të thotë te Sheriati i Tij, ai nuk duhet ta pyes këdo, por duhet ta pyes vetëm atë që e di apo që e konsideron se ai është prej njerëzve kompetent në dhënien e fetvave. Ndërsa, sa u përket atyre që japin fetva pa dituri adekuate sheriatike (profesoreshat), kjo atyre nuk u lejohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” (Araf, 33).

Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e ka krahasuar me shirkun nëse flitet për Të pa dituri.
Zoti i Lartësuar thotë: “Atëherë, kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra rreth Allahut, për t’i shpënë njerëzit në humbje nga padija?” (En’am, 144)
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Kush gënjen qëllimisht mbi mua, le t’ia përgatisë vetes vendin në Xhehenem.” [1]

Detyrë e atij që pyetet për diçka rreth fesë së Allahut të Lartësuar është që mos të përgjigjet, përveç nëse ka njohuri për të, qoftë nëse atë dituri vetë e ka fituar (nëse është kompetent që pavarësisht t’i hulumtojë argumentet) apo nëse e ka marrë prej ndonjë dijetari të besueshëm. Çështja e dhënies së fetvave është çështje e dinit (fesë) dhe ai që e bën këtë, duhet të jetë i vetëdijshëm se flet në emër të fesë së Allahut, e kam fjalen, flet në emër të dispozitave të Tij dhe në emër të Sheriatit të Tij. Pikërisht për këtë, myftiu (ai që jep fetva) duhet të jetë shumë i kujdesshëm.

Shejh Ibn Uthejmin

——————————–

[1] (Buhariu, kaptina: “Dituria”, 110; Muslimi, “Hyrje”, 3